KOSOVË-Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli ka njoftuar se ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtarë për rastin e Hotel Grandit, ndaj shtetit të Kosovës. Sipas tij, vendimi parashikon që shteti duhet të rikthejë shumën e paguar nga kompania e tij ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar, është një obligim për Qeverinë që të kthejë shumën që Mabco e pagoi në vitin 2006 në llogarinë e shtetit. Në këmbim, Qeveria kishte ofruar asgjë dhe duke refuzuar njohjen e Mabco si aksionare në objektin e blerë, ndonëse marrëveshja ishte e qartë dhe Qeveria e Kosovës ishte dy herë e informuar për këtë. Ky vendim nxjerr në pah po ashtu edhe tentativat për mashtrim të Zylqif Berishës, i cili, me skenarët dhe njerëzit e tij të “fortë”, për 18 vite më ka shkaktuar shumë kokëçarje. Por, në fund, drejtësia triumfoi e Berisha për shkak të lakmive të tij sot mundet me e pa Hotelin Grand vetëm nga distanca”, shkruan Pacolli.
Ndërkohë në një reagim të saj ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Grandi mbetet në pronësi të Republikës së Kosovës.
“Republika e Kosovës, sipas Vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin. E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë. Për shkak të hajnisë 20 vjeçare nëpër institucione shtetërore, paguajmë pasoja ende. Por këto janë të fundit. Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj Grandi mbetet i Kosovës e i qytetarëve të saj”, ka shkruar ajo.