PEKIN-Ka përfunduar vizita dy ditore e Presidenti amerikan, Donald Trump në Kinë, ku zhvilloi raunde bisedimesh me presidentin kinez, Xi Jinping.
Ata zhvilluan një takim dypalësh në kompleksin Zhongnanhai, qendra politike e Kinës, pak para largimit të presidentit amerikan nga Pekini drejt Washingtonit. Dy liderët shëtitën në kopshtet historike të kompleksit. Kompleksi shtrihet në rreth 6,000 akra dhe përfshin liqene, kopshte dhe ndërtesa administrative. Rreth gjysma e tij është e mbuluar nga uji, ndërsa vendi është i rrethuar nga mure të kuqe historike dhe konsiderohet si një nga vendet më “sekrete” në Kinë.
Sipas raportimeve, presidenti amerikan, duke kaluar pranë kolonave të gjelbra dhe harqeve dekorative, komentoi se “këto janë trëndafilat më të bukur që kam parë ndonjëherë”, me Xi që më vonë u përgjigj se do t’i dërgonte fara trëndafili “si dhuratë”.
View this post on Instagram
Më pas morën pjesë në një drekë zyrtare ku u servirën gatime tradicionale kineze, përfshirë pulë Kung Pao, mish viçi me kërpudha, petka dhe ushqime deti. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidenti kinez, Xi Jinping, ngritën dolli së bashku në banketin shtetëror të madh të enjten (14 maj).
Dy liderët pinë çaj dhe diskutuan për marrëveshjet mes dy vendeve. Për diplomacinë kineze, ofrimi i çajit një udhëheqësi të huaj konsiderohet një shenjë respekti, sinqeriteti dhe mirësjelljeje, ndërsa shërben gjithashtu si një shfaqje simbolike e kulturës kineze.
Trump deklaroi se ai dhe presidenti kinez, kanë arritur disa “marrëveshje fantastike tregtare” gjatë samitit të zhvilluar këtë javë në Pekin, ndërsa të dy vendet po përpiqen të stabilizojnë marrëdhëniet pas luftës tregtare të vitit të kaluar. Sipas administratës amerikane, dy vendet kanë diskutuar edhe për krijimin e një “Bordi Tregtie” dhe një “Bordi Investimesh”, që do të mbikëqyrnin marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-ve dhe Kinës.
Gjatë fjalimeve të tij në Zhongnanhai, Trump tha se të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu për Iranin, duke vënë në dukje se ata ranë dakord që Teherani nuk duhet të ketë një armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur. “Ne duam që kjo të marrë fund, sepse situata atje është e çmendur”, shtoi ai.
Trump njoftoi gjithashtu se Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij janë ftuar për një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator.