
SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump kritikon për të herë të parë homologun e tij rus, Vladimir Putin. Pas sulmit masiv rus në Kiev, trump e bëri të ditur publikisht faktin se nuk ishte "i lumtur". Trump i quajti sulmet "të panevojshme", duke shtuar se për sulme të tilla nuk është as "koha e duhur".
"Unë nuk jam i kënaqur me sulmet ruse në KIEV. Nuk janë të nevojshme dhe koha është shumë e keqe. Vladimir, STOP! 5000 ushtarë në javë po vdesin. Le ta përfundojmë marrëveshjen e paqes!,"- shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Deklarata e Trump vjen pasi vetëm një ditë më parë tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy po pengonte bisedimet e paqes për t'i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë.
Objektivi i sulmit rus që nisi mbrëmë dhe zgjati deri në mëngjesin e sotëm ishte Kievi. Në sulmin masiv rus në Kiev gjatë natës, 9 persona ndërruan jetë, 77 u plagosën, mes tyre kishte dhe fëmijë.
Megjithatë, nga sulmi u dëmtuan edhe shumë ndërtesa banimi, ndaj kërkimet nën rrënoja vazhdojnë.
Pas ngjarjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi se do të qëndronte shumë shkurt në në Afrikën e Jugut për t'u rikthyer në Kiev./ZËRI