Bota

Ceremonia mortore e Papa Françeskut, dita e dytë e pelegrinazhit popullor, Shqipëria shpall ditë zie 26 prillin

 Pelegrinazhi popullor do të përfundojë të premten pasdite, ndërsa varrimi i Françeskut do të bëhet të shtunën.

k.m.
Ceremonia mortore e Papa Françeskut, dita e dytë e pelegrinazhit
Pamje nga ceremonia

VATIKAN- Vazhdon për ditën e dytë, pelegrinazhi popullor për Papa Françeskun. Dhjetëra mijëra besimtarë vërshojnë në Bazilikën e Shën Pjetrit për të nderuar një prej drejtuesve më të dashur të kishës katolike. Pelegrinazhi popullor do të përfundojë të premten pasdite, ndërsa varrimi i Françeskut do të bëhet të shtunën. Siç raporton "Vatican Neës", do të jetë kardinali dhe "camerlengo" Colin Farrell, ai që do të drejtojë meshën e së premtes kur të vuloset arkivoli i Papa Françeskut.

Ndërkohë, forca të rënda Policore italiane janë vendosur në Romë dhe Vatikan, teksa dhjetëra mijëra besimtarë dëshirojnë t'i japin lamtumirën e fundit Papa Françeskut. Kjo për shkak se edhe sot, mijëra besimtarë janë dyndur drejt Bazilikës së Shën Pjetrit për t'i dhënë lamtumirën Papa Françeskut.

Sergio Alfieri, drejtori i kirurgjisë onkologjike abdominale në spitalin Gemelli, koordinatori i mjekëve të Atit të Shenjtë gjatë shtrimit të tij dhe kirurgu i tij personal, tregoi sesi e kishte marrë lajmin për vdekjen e Papës. Ai zbuloi se për herë të fundit e kishte takuar në vigjilje të Pashkës, ndërsa të hënën i dhanë lajmin se Papa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. 

"Për herë të fundit e pashë të shtunën pas drekës, në vigjilje të Pashkës. Dhe mund të them se ishte shumë mirë, edhe ai vetë ma tha. I çova një torte me reçel të errët, siç i pëlqen atij, dhe biseduam pak. “Jam shumë mirë, kam filluar të punoj përsëri dhe më pëlqen”. Dija që të nesërmen do të jepte bekimin Urbi et Orbi dhe lamë takim për të hënën. Të hënën rreth orës 5:30 më thirri Strappetti: “Ati i Shenjtë është shumë keq, duhet të kthehemi në Gemelli”. Paralajmërova të gjithë dhe njëzet minuta më vonë isha atje në Santa Marta, megjithatë më dukej e vështirë të mendoja se ishte i nevojshëm një shtrim në spital. Hyra në dhomën e tij dhe ai kishte sytë hapur. Konstatova që nuk kishte probleme me frymëmarrjen dhe përpiqesha t’i flisja, por nuk më përgjigjej. Nuk përgjigjej as ndaj stimujve, as ndaj atyre të dhimbjes. Në atë moment e kuptova që nuk kishte më çfarë të bëhej. Ishte në koma,”-tha Alfieri.

Ndërsa zv.presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, J.D. Vance komentoi gjithashtu faktin se ai ishte personi i fundit që u takua me Papën para se të ndërronte jetë.

"Shumë çmenduri. Natyrisht, kur e pashë, nuk e dija se kishte më pak se 24 orë në Tokë. Mendoj se ishte një bekim i madh. Por, ju e dini, ai takonte shumë njerëz. Përpiqem të kujtoj se isha me fat që i shtrëngova dorën,"-tha Vance për mediat amerikane.

Në shenjë nderimi për Papa Françeskun, e shtuna shpallet shpallet ditë zie në Shqipëri, duke ulur në gjysmështizë flamurin kombëtar. Vendimi u mor nga Këshilli i Ministrave këtë të enjte.

VENDIMI I VKM:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje. 2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë. 3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër. 4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Papa Françesku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 21 prill një ditë pas Pashkëve. Papa Françesku vdiq nga një goditje në tru dhe si pasojë e dështimit të pakthyeshëm të zemrës. Për nëntë ditë me radhë do të kremtohen meshë në përkujtim të shpirtit të Françeskut – të ashtuquajturat novendiale./ZËRI

Poll

MOS HUMB