
SHBA- Të tjera detaje janë zbardhur nga takimi mes dy homologëve në Zyrën Ovale. Përveç dëbimit dhe kritikave nga ana e Trump, Zelenskyy u përball edhe me pyetje të sikletshme nga ana e medias. Një gazetar ndërpreu fjalën e presidentit Donald Trump dhe pyeti Volodymyr Zelenskyyn se pse ai nuk vesh kostum në takimet zyrtare.
“Pse nuk vesh kostum? A keni një kostum? Shumë amerikanë kanë problem me ju që nuk respektoni dinjitetin e zyrës,” pyeti Brian Glenn, shefi korrespondent i Shtëpisë së Bardhë.
"Unë do të vesh një kostum pasi kjo luftë të përfundojë. Ndoshta diçka si e juaja, ndoshta diçka më e mirë... Ndoshta diçka më e lirë",- u përgjigj presidenti ukrainas.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u largua prej Shtëpisë së Bardhë, pas një diskutimi të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump. Trump kërkoi që Ukraina të nënshkruajë marrëveshje me SHBA për minerale, ndërsa Zelenskyy i kërkoi ndihmë konkrete për të larguar Rusinë dhe jo të humbin qytete të tërë pas luftës. Presidenti amerikan e akuzoi homologun ukrainas se po “e vendos veten në një pozitë të tmerrshme” dhe se “nuk ka asnjë kartë në dorë” për një marrëveshje'. Pas debatit të ashpër Zelenskyy u largua nga Shtëpia e Bardhë./ZËRI