FRANCË- Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nunez, pranoi se policia kishte humbur kontrollin në disa qytete gjatë protestave të zhvilluara së fundmi dhe i paraqiti dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron, raporton Le Monde.
Ministri foli për mungesë parashikimi në përgatitjen e operacionit dhe deklaroi se kishte paraqitur dorëheqjen, pasi ndihej përgjegjës për ngjarjet. Nga ana tjetër, Macron i ka kërkuar ministrit të sigurojë transparencë mbi dështimet në planifikim dhe inteligjencë që çuan në përshkallëzimin e dhunës. Presidenti ka kërkuar gjithashtu hartimin e metodave të reja operacionale për forcat e sigurisë, me synimin për të përballuar më mirë situata të ngjashme.
Mbi gjysmë milioni qytetarë kanë dalë në rrugët e Francës për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të kushteve në arsim. Protestat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë, djegie ndërtesash, shkatërrim biznesesh dhe qindra arrestime.
Sipas autoriteteve franceze, rreth 1.500 dyqane dhe biznese janë plaçkitur ose shkatërruar gjatë trazirave, ndërsa vetëm në Paris janë regjistruar 350 arrestime të dielën dhe gjatë orëve të para të së hënës.