
BEOGRAD- Qindra mijëra serbë dolën në rrugë të shtunën në mbrëmje duke kërkuar zgjedhje të reja. Të paktën 140,000 protestues, demonstruan në Beograd për të ushtruar presion të ri mbi qeverinë që të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Ndryshe nga sa pretendojnë organizatat e pavarura, Policia serbe, pretendon se 36,000 protestues morën pjesë në tubim.
"Duam zgjedhje!,"- bërtiti turma që mbushi sheshin më të madh të Beogradit dhe rrugët përreth tij, duke valëvitur flamuj serbë dhe duke mbajtur banderola e pankarta me emrat e qyteteve dhe fshatrave serbe. Pas protestës, shpërthyen përleshje midis grupeve të të rinjve, disa prej të cilëve hodhën bomba tymi, dhe Policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të shpërndarë turmat.
"Do të protestojmë përsëri dhe ata nuk do të na ndalojnë. Do t’i vazhdojmë protestat për aq kohë sa të duhet derisa të plotësohen kërkesat tona,"-tha Stefan Ivakovic, një student i drejtësisë.
Kjo lëvizje lindi për shkak të tragjedisë së 1 nëntorit 2024, kur një barrierë betoni u shemb në një stacion hekurudhor në Novi Sad, duke vrarë 16 persona, përfshirë dy fëmijë. Qytetarët, të indinjuar nga mosveprimi i qeverisë së Presidentit Aleksandër Vuçiç pas aksidentit, kanë dalë në rrugë për 7 muaj me një sërë kërkesash, në veçanti për kryerjen e një hetimi të pavarur dhe, duke filluar nga maji, për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. I përballur me lëvizjen masive, presidenti serb largoi disa nga ministrat e tij nga qeveria në janar, por kjo nuk e kënaqi turmën. Tashmë presidenti ka nisur akuzat se protestuesit se po përpiqeshin të nxisnin një "grusht shteti", por shtoi edhe se ishin paguar dhe të nxitur nga vende të huaja. Madje, Vuçiç shkoi deri aty, sa pretendoi se kishte plane edhe për ekzekutimin e tij./ZËRI