
KOÇAN- Ish-përgjegjësi për sigurinë, Blagojço Georgiev, që punonte në lokalin e natës ku ndodhi tragjedia me 59 viktima në Koçan ka dhënë një intervistë, ku ka fajësuar pronarët. Ai ka treguar se gjatë kontrollit në ambiente ka vënë re shumë parregullsi dhe ka vënë në dijeni pronarët, por ato i kanë anashkaluar. Georgiev tha se janë përdor materiale të lira për të izoluar klubin dhe leja e funksionimit ka qenë e dyshimtë.
“Më dhemb shpirti, unë së bashku me punonjësit e mi e sigurojmë diskotekën prej 2 vitesh. Shefi është i pangopur, i do shumë paratë. Jam në dijeni që e gjithë pjesa e brendshme është e veshur me izolimin më të lirë, sfungjer! Unë kam qenë prezent teksa po e bënin! Dhe tani njerëzit do të nisin të më akuzojnë dhe të më pyesin pse po e them këtë? Më akuzojnë 60 familje, 30 persona në spital! Ndjehem i dëshpëruar për këtë që ka ndodhur”, ka thënë mes lotësh Georgiev.
Georgiev tha se e ka paralajmëruar pronarin për praninë e të miturve në diskotekë. Ai shton se pronari nuk e mori seriozisht këtë problem.
“I thashë po vijnë fëmijë 15 vjeç, dhe ai më thoshte le t’i lënë të hyjnë mendoni për lekët që do fitojmë. Kush e ka dhënë lejen për atë lokal, kush i ka bërë kontrollet? Unë personalisht kam raportuar se ka pasur të mitur brenda dhe në fund më rezulton se unë jam problemi. Unë flas për sistemin, jo për individët”, tha ai.
Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike. Deri më tani janë ndaluar 19 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI