KOSOVË-Një përplasje në distancë ka filluar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit sulmoi Kurtin, në lidhje me zhvillimet mes Beogradit dhe Prishtinës. Duke komentuar arrestimet e fundit në Kosovë të zyrtarëve serbë, presidenti serb e cilësoi Kurtin si një "kërcënim".
Vuçiç tha ndër të tjera se Kurti e kishte humbur mendjen e tij, duke iu referuar arrestimit të zyrtarit Igor Popoviç. Në përgjigje Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt Serbisë.
“Shmangni udhëtimet drejt Serbisë, ka indikacione për ndalime arbitrare nga autoritetet serbe. Serbia po dëshmon se s’është e interesuar për normalizim. Kosova është vendosur për të garantuar dhe ruajtur sigurinë”, tha Kurti.
Ndalimi i Igor Popoviç
Igor Popoviç është një zyrtar shtetëror serb, i cili merret me çështje që lidhen me popullsinë serbe në Kosovë. Popoviç është një figurë politike e afërt me politikën e Vuçiçit dhe shpesh përdoret si zëdhënës për linjën e ashpër të Beogradit ndaj institucioneve të Kosovës.
Në korrik 2025, Igor Popoviç u arrestua nga autoritetet kosovare në pikën kufitare të Brnjakut, pasi kishte mbajtur një fjalim në Rahovec ku e quajti UÇK-në një “organizatë terroriste”. Pas lirimit, Popoviç e quajti ndalimin e tij “presion politik për të frikësuar serbët që jetojnë në Kosovë”./ZËRI
