BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç sulmoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me zhvillimet mes Beogradit dhe Prishtinës. Duke komentuar arrestimet e fundit në Kosovë të zyrtarëve serbë, presidenti serb e cilësoi Kurtin si një "kërcënim".
Ai tha ndër të tjera se Kurti e kishte humbur mendjen e tij, duke iu referuar arrestimit të zyrtarit Igor Popoviç.
"Ne kemi probleme shumë më të mëdha sesa protestuesit, që nga arrestimi i njerëzve tanë në Kosovë, arrestimi i fundit i Igor Popoviç tregon se Kurti e ka humbur plotësisht mendjen. Ne gjithmonë i kemi informuar të gjithë miqtë dhe partnerët tanë se do të luftojmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Kurti po provokon incidente, i kemi informuar miqtë tani, por kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme,”- tha Vuçiç gjatë një interviste që dha për "TV Pink".
Igor Popoviç është një zyrtar shtetëror serb, i cili merret me çështje që lidhen me popullsinë serbe në Kosovë. Popoviç është një figurë politike e afërt me politikën e Vuçiçit dhe shpesh përdoret si zëdhënës për linjën e ashpër të Beogradit ndaj institucioneve të Kosovës.
Në korrik 2025, Igor Popoviç u arrestua nga autoritetet kosovare në pikën kufitare të Brnjakut, pasi kishte mbajtur një fjalim në Rahovec ku e quajti UÇK-në një “organizatë terroriste”.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Popoviç kishte hyrë ilegalisht në Kosovë, kishte mbajtur një fjalim nxitës dhe kishte përhapur propagandë. Pas disa orësh ndalimi dhe hetimi, ai u lirua, por ngjarja shkaktoi tensione politike midis Beogradit dhe Prishtinës.
Pas lirimit, Popoviç e quajti ndalimin e tij “presion politik për të frikësuar serbët që jetojnë në Kosovë”./ZËRI