
SKËNDERAJ- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është pritur mirë nga qytetarët në një tubim zgjedhor në Skënderaj., Kurti ishte duke hyrë në një sallë ku do të mbahej takimi në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, ku drejt tij u hodhën mjete piroteknike dhe fishekzjarre.
Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime, por incidenti ka shkaktuar tensione në sallë. Ndërsa pranë vendit ku po mbahet tubimi, janë dëgjuar dhjetëra qytetarët duke brohoritur “Na jena PDK, Thaçi – Thaçi” dhe “Albin hajni”. Po ashtu, ka pasur dhe thirrje si “Zdravo”, të cilat lidhen me audio-incizimin e fundit të shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, me Milan Radoiçiç, një ngjarje që shkaktoi polemika në Kosovë.
Pas këtij incidenti reagoi edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku duke thënë se janë të pandalshëm.
“Disa qyqanë të orkestruar nga partia paskan tentu me e pengu tubimin e Vetëvendosjes në Skenderaj. Për çudi, komuna paralele e Serbisë atje nuk ju bënte fort përshtypje.
Harroni që na ndalni. Po thyejm bastione një nga një, cep më cep. Dje në Deçan, sot në Drenicë, e çdo ditë deri në 500 mijë zemrat e 9 shkurtit. Politika primitive nuk kalon”, shkroi Çeku në rrjete sociale. /ZËRI