
VATIKAN-Dalja e fundit publike e Papa Françeskut ishte për një bekim të së dielës së Pashkëve në sheshin e Shën Pjetrit të Vatikanit. Nuk dihej në atë kohë nëse Papa do t'i bashkohej shërbimit pas daljes nga spitali muajin e kaluar, pas pesë javësh trajtim për një infeksion që çoi në pneumoni të dyfishtë.
Në meshën e Pashkëve, Papa dha një mesazh tradicional paqeje nga ballkoni, duke bërë thirrje për t'i dhënë fund luftërave në Ukrainë, Gaza, Kongo dhe Mianmar. Ai gjithashtu takoi shkurtimisht zëvendëspresidentin e SHBA JD Vance, i cili u konvertua në katolicizëm në 2019 për përshëndetjet e Pashkëve. Françesku e priti Vance në një nga sallat e pritjes së hotelit të Vatikanit, ku jeton. Ai i dhuroi zëvendëspresidentit katolik tre vezë të mëdha çokollate për tre fëmijët e tij të vegjël që nuk ishin të pranishëm, si dhe një kravatë të Vatikanit.
“E di që nuk je ndjerë mirë kohët e fundit, por është mirë të të shoh në gjendje më të mirë shëndetësore. Faleminderit që më pritët” -i tha Vance Papës.



Në një postim në platformën 'X', fjala e fundit të Papa Françeksut, ishte urimi për Pashkët.
"Krishti u ringjall! Këto fjalë kapin të gjithë kuptimin e ekzistencës sonë, sepse ne nuk jemi krijuar për vdekjen, por për jetën. Unë do të doja që ne të ripërtërijmë shpresën tonë se #paqja është e mundur! Nga Varri i Shenjtë, Kisha e Ngjalljes, ku këtë vit, Pashkët festohen nga katolikë dhe ortodoksë në të njëjtën ditë, drita e paqes rrezatoftë në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë botën.",-shkruante Papa.
Papa Françesku ndërroi jetë sot në orën 07:35 të Vatikanit të hënën në mëngjes. Papa Françesku i kaloi ditët e tij të fundit në shërbim të kishës, duke marrë pjesë me aq sa mundi në kremtimin e Pashkëve, pikën më të lartë të kalendarit të krishterë. Ai doli së fundi nga spitali muajin e kaluar pas pesë javësh trajtimi për një infeksion./ZËRI