
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump publikoi një video që tregon dhjetëra luftëtarë të lëvizjes Houthi teksa vriten nga një bombardim amerikan në Jemen. Videon, në të cilën ka njerëz që vriten, Trump e ka shoqëruar me një: Oops! Imazhet bardh e zi, të kapura nga lart - me sa duket nga një dron ushtarak - tregojnë dhjetëra njerëz, më pas mbi ta bie një bombë.
Kamera kap shpërthimin, tymin e dendur, më pas pamjet e zonës së prekur, ku nuk ka mbetur asgjë.
"Këta Houthis ishin mbledhur për të marrë udhëzime për një sulm. Oops, epo sulm nuk do të ketë. Ata nuk do i fundosin kurrë më anijet tona!,"-shkruan Trump.
MOMENTI ME VIDEO:
Postimi i Trump nuk përfshin detaje të mëtejshme rreth operacionit. Të hënën, Trump u zotua të vazhdojë të godasë Houthis derisa "grupi terrorist" jemenas të ndalojë sulmet e anijeve tregtare në Detin e Kuq. Nga ana tjetër, Houthis pretendojnë se 67 njerëz janë vrarë që nga 15 marsi, që kur SHBA filloi fushatën e sulmeve ajrore.
Rebelët Huthi kanë kryer një mori sulmesh ndaj anijeve transportuese në 18 muajt e fundit, duke pretenduar se këto veprime janë shenjë mbështetjeje për palestinezët për luftën e Izraelit në Gazë kundër Hamasit, grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Huthët kanë thënë se kanë sulmuar vetëm anijet izraelite, ndonëse është raportuar të jenë shënjestruar edhe anije tjera. Shumë kompani janë detyruar të ndryshojnë drejtimin e anijeve të tyre për të bërë rrugë më të gjatë dhe më të kushtueshme, vetëm për të shmangur dhunën. Që nga viti 2014, rebelët Huthi kanë marrë kontrollin e një pjesë të territorit në veriperëndim të Jemenit, çka ka rezultuar me luftë në të cilën janë vrarë mijëra njerëz dhe është përshkallëzuar rëndë situata humanitare në këtë shtet – më të varfrin në botën arabe.
Shumë vëzhgues kanë thënë se lufta është zhvilluar mes Arabisë Saudite dhe Iranit, përmes grupeve që mbështesin dhe në një territor të tretë. Arabia Saudite mbështet qeverinë e Jemenit, të cilën synojnë ta rrëzojnë rebelët Huthi./ZËRI