
VATIKAN-Presidenti i SHBA, Donald Trump ishte ndër liderët e parë që njoftoi se do të merrnin pjesë në funeralin e Papa Françeskut. I pranishëm do të jetë edhe presidenti francez Emmanuel Macron. Konfirmimin e prezencës e ka njoftuar edhe lideri ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Në të njëjtën kohë, ka shumë të ngjarë që Princi William të marrë pjesë gjithashtu për të përfaqësuar familjen mbretërore. Tajvani do të jetë gjithashtu i pranishëm në funeral me "të dërguar specialë të nivelit të lartë". Presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva nuk do të mungojë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Janja. I pari që konfirmoi praninë e tij në Vatikan, të shtunën në orën 10, ishte Javier Milei, presidenti i Argjentinës.
Mes liderëve ajo që vihet re është mungesa e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Pas lajmit për ndarrjen nga jeta të Papë, në një mesazh drejtuar kardinalit Farrell, presidenti Vladimir Putin thekson se Papa Françesku "gëzonte një autoritet të madh ndërkombëtar si shërbëtor besnik i mësimeve të krishterimit, një udhëheqës i urtë fetar dhe një burrë shteti, si dhe një mbrojtës i palëkundur i vlerave të larta të humanizmit dhe drejtësisë."
Varrimi i Papa Françeskut do të zhvillohet ditën e shtunë më 27 prill. Kjo do të shënojë gjithashtu edhe ditën e parë të nëntë ditëve të zisë.
Ndërkohë Vatikani ka njoftuar gjithashtu se arkivoli me trupin e Papa Françeskut do të dërgohet në Bazilikën e Shën Pjetrit të mërkurën në mëngjes në orën 09:00 me orën lokale. Arkivoli i Papës do të jetë aty deri në varrim, në mënyrë që publiku të bëjë nderimet e tyre./ZËRI