Bota

Në takim me senatorët amerikanë, Shiroka Pula kërkon rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në

Rifillimi i dialogut vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit mbeten të kushtëzuara nga qëndrimet për zhvillimet politike në Kosovë dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.

M.K.
Në takim me senatorët amerikanë, Shiroka Pula kërkon
Justina Shiroka Pula, në takim me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin

Presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, të pezulluar nga Uashingtoni në shtator të vitit 2025. Kërkesa u bë gjatë takimit me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, ku presidentja vuri në dukje rëndësinë e këtij mekanizmi për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Rifillimi i dialogut vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit mbeten të kushtëzuara nga qëndrimet për zhvillimet politike në Kosovë dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë. SHBA-ja e pezulloi procesin për një periudhë të pacaktuar, duke argumentuar se veprimet e Qeverisë së atëhershme ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese kishin rritur tensionet dhe kufizuar mundësitë për bashkëpunim.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se rifillimi i Dialogut Strategjik do të varet nga krijimi i kushteve të nevojshme. Mes çështjeve të ngritura nga Uashingtoni janë edhe zotimet e Kosovës ndaj komunitetit serb, përfshirë detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e dialogut me Serbinë dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Prishtina, nga ana tjetër, ka kërkuar që angazhimet të përmbushen nga të dyja palët. Kosova insiston që Serbia të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe të dorëzojë te autoritetet kosovare Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023.

Gjatë takimit me senatorët amerikanë, Shiroka Pula ka theksuar gjithashtu se anëtarësimi në NATO mbetet një nga synimet kryesore të Kosovës, ndërsa mbështetjen e SHBA-së e ka cilësuar vendimtare për avancimin e këtij procesi.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, deklaroi presidentja, sipas njoftimit të Presidencës.

Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane, Shiroka Pula i dorëzoi senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave. Sipas Presidencës, ky është vlerësimi i parë i ndarë nga presidentja që prej marrjes së mandatit.

Shaheen, senatore demokrate nga New Hampshire dhe anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, po drejton një delegacion të Kongresit në një vizitë disaditore në Ballkanin Perëndimor. Në takimet e zhvilluara në rajon, diskutimet janë përqendruar te marrëdhëniet me SHBA-në, siguria dhe stabiliteti.

Përpara vizitës në Kosovë, senatorja qëndroi në Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri. Në Sarajevë, ajo vizitoi Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës dhe u shpall “Qytetare Nderi e Sarajevës”, në vlerësim të mbështetjes së saj shumëvjeçare për Bosnje-Hercegovinën dhe aspiratat e saj euroatlantike.

Gjatë qëndrimit në Bosnje-Hercegovinë, Shaheen u bëri thirrje autoriteteve të vijojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke paralajmëruar edhe për ndikimin rus në rajon. Ndërsa në Tiranë, ajo theksoi se politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohet te mundësitë ekonomike, stabiliteti dhe forcimi i institucioneve demokratike.

Në një diskutim me të rinj, senatorja nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të qasjes në tregje, heqjes së barrierave tregtare dhe mbështetjes për bizneset amerikane e sipërmarrësit shqiptarë. Ajo paralajmëroi gjithashtu se paqëndrueshmëria në një vend të rajonit mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Poll

MOS HUMB