Bota

"Ne me baltë, ju me gjak", Spanja ngrihet në protesta pas përmbytjeve tragjike

Demonstrata pati edhe në qytete të tjera në rajonin e Valencias, si Alicante dhe Elche, si dhe në Madrid. Akuzat kryesore ndaj politikanëve janë mosparalajmërimi i qytetarëve për fuqinë e shirave që po vinin atë të martë fatkeqe, dhe se reaguan me vonesë dhe keq në ndihmë të popullatës së prekur të gati 80 komunave.

F.m
"Ne me baltë, ju me gjak", Spanja ngrihet në protesta pas
Spanjë

SPANJË- Me thirrjet “vrasës, vrasës!”,”ne me baltë, ju me gjak”, mijëra njerëz demonstruan këtë të shtunë në qytetin spanjoll të Valencias në shenjë proteste kundër menaxhimit të përmbytjeve që shkatërruan zonën më 29 tetor, duke lënë më shumë se 200 të vdekur.

Protestuesit u mblodhën në Plaza del Ayuntamiento de Valencia për të ecur kilometrin që e ndan nga Pallati i selisë së qeverisë rajonale të Valencias, duke kërkuar mbi të gjitha dorëheqjen e presidentit të Valencias Carlos Mazón, por pa kursyer edhe kritikat ndaj Ekzekutivi qendror, socialistit Pedro Sánchez.

Demonstrata pati edhe në qytete të tjera në rajonin e Valencias, si Alicante dhe Elche, si dhe në Madrid. Akuzat kryesore ndaj politikanëve janë mosparalajmërimi i qytetarëve për fuqinë e shirave që po vinin atë të martë fatkeqe, dhe se reaguan me vonesë dhe keq në ndihmë të popullatës së prekur të gati 80 komunave.

"Menaxhimi i Mazonit ka qenë i pahijshëm dhe ai duhet të japë dorëheqjen,"- shpjegoi për AFP Julián García, një pensionist 73-vjeçar nga Valencia.

“Në orët e mëparshme duhet të kishin paralajmëruar njerëzit që të ishin vigjilentë, që fëmijët të mos kishin shkuar në shkollë, ne të mos ishim larguar me makina për të punuar,”- shtoi ai.

Përmbytjet lanë gjithsej 220 të vdekur në Spanjën lindore, 212 në rajonin e Valencias, dhe dhjetëra të tjerë janë të zhdukur.

Ana de la Rosa, 30 vjeçe, arkiviste, nga Valencia, vlerësoi se “ka pasur një menaxhim të dobët”.

“Ata janë përfshirë në luftë politike kur nuk ishte koha, sepse qytetarët nuk kishin nevojë, qytetarët kishin nevojë për ndihmë dhe nuk kishin nevojë për atë lloj sjelljeje”, shtoi De la Rosa, e cila shkoi përtej kërkesave për dorëheqje, duke konsideruar se autoritetet kanë kryer një “vrasje nga pakujdesia sepse nuk vepruan siç duhet të bënin”.

Trini Orduña, një 50-vjeçar nga Valencia, shpërndau fajin në mënyrë të barabartë midis Valencias dhe Madridit, duke vlerësuar se Spanja ka një klasë politike "të turpshme" dhe duke e përshkruar menaxhimin e katastrofës si "të tmerrshme".

Trazirat u kristalizuan të dielën e kaluar me shpërthimin e zemërimit të banorëve të qytetit Valencias kundër qeverisë spanjolle dhe mbretërve Felipe VI dhe Letizia.

Në rastin e Mazonit, ai akuzohet gjithashtu se ishte zhdukur për disa orë kritike në ditën e fatkeqësisë duke filluar nga mesdita, kur tashmë kishte filluar të binte shi dhe komiteti i urgjencës po e priste. Kur i kërkuan vazhdimisht shpjegime për mungesën e tij, ai më në fund pranoi se kishte qenë duke drekuar me një gazetare për t'i ofruar asaj drejtimin e televizionit rajonal.

Edhe pse ekziston mundësia e njoftimit të gjithë popullatës me celular për t'u strehuar, kjo nuk u bë dhe personi më i lartë përgjegjës për emergjencat në rajon, Salomé Pradas, pranoi të enjten se nuk ishte në dijeni që kjo mundësi ekzistonte.

Kur telefonat e Valencianëve filluan të lëshonin bipin e zhurmshëm të alarmit, shumë prej tyre ishin tashmë deri në qafë nën ujë.

Kompetencat në menaxhimin e fatkeqësive në Spanjë korrespondojnë me administratat rajonale, por qeveria qendrore mund të sigurojë burime dhe madje të marrë përsipër menaxhimin në një rast ekstrem.

Burime qeveritare shpjeguan se nuk duan t'i shmangen përgjegjësive dhe se janë të interesuar të sqarojnë nëse tragjedia mund të ishte shmangur, por pretendojnë se kanë bërë gjithçka që është e mundur brenda kuadrit aktual të pushteteve.

Poll

MOS HUMB