UASHINGTON- Donald Trump komentoi sot momentin viral që ndau me Barack Obamën dje në funeralin e ish-presidentit amerikan Jimmy Carter. Presidenti i zgjedhur u pyet nga një gazetar në lidhje me videot që kanë bërë xhiron e internetit orët e fundit, të cilët tregojnë atë dhe Obamën, të ulur krah për krah në funeral, duke biseduar dhe duke buzëqeshur.
Në videon e filmuar, ish-presidentin demokrat qesh me diçka që i tha Trump, kjo bëri bujë, pasi marrëdhëniet mes dy politikanëve nuk kanë qenë asnjëherë veçanërisht të ngrohta, ndërkohë që disa herë ato kanë bërë edhe deklarata të ashpra për njëri-tjetrin.
“Nuk e kuptova se sa miqësore dukej biseda”, komentoi Trump sot nga rezidenca e tij në Mar A Lago, Florida. Në përgjigje të pyetjes së një gazetari për videot e bisedës së tyre, ai ka treguar se edhe atij i ka bërë përshtypje kur i ka parë. “Po mendoja se dukemi si njerëz që pëlqejnë njëri-tjetrin. Dhe ndoshta kjo është e vërtetë. Ne kemi filozofi paksa të ndryshme, por ndoshta na pëlqen njëri-tjetri, nuk e di. Po ia kalonim mirë. Por gjithsesi kam shkuar mirë pothuajse me të gjithë”, tha 78-vjeçari.
Presidenti i zgjedhur republikan refuzoi të zbulojë përmbajtjen e bisedës së tij me Obamën, ndërsa pala e ish-presidentit demokrat nuk i është përgjigjur ende pyetjeve të gazetarëve. Kjo sigurisht nuk i pengoi disa media amerikane që të përpiqeshin të zbulonin se për çfarë po flisnin dy burrat në funeral, duke përdorur metoda të tilla si...leximi i buzëve.
Sipas një eksperti nga New York Post, pavarësisht gjuhës miqësore të trupit, buzëqeshjeve dhe batutave, biseda mes Trump dhe Obamës kishte një anë serioze, pasi republikani i kërkoi demokratit që më vonë të gjente "një vend të qetë" për të diskutuar një 'çështje e rëndësishme'.
“Më telefononi më vonë, të flasim në hollësi”, tha fillimisht Trump, me bashkëbiseduesin e tij që u shfaq duke i kërkuar që t’i tregonte atë që donte. “Nuk mund të flas tani, duhet të gjejmë një vend të qetë. Është e rëndësishme, duhet të flasim jashtë”, vazhdon republikani, ndërsa Obama pohon me kokë.
Ndonëse nuk dihet se çfarë ishte kjo çështje, detajet e zbuluara nga eksperti i fjalëve të gojës Jeremy Freeman “tregojnë” se mund të jetë një çështje ndërkombëtare. Në një moment, Trump u përkul në anën e Obamës dhe tha: “Jam tërhequr nga kjo. Problemi janë kushtet. A mund ta imagjinoni këtë?'
Siç kujton gazeta e New York, gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e Iranit e vitit 2015 dhe Marrëveshja e Parisit për Klimën e vitit 2016, megjithëse është e paqartë nëse biseda me Obamën ishte për ndonjë nga këto tema. Sipas Freeman, Obama qeshi kur Trump i tha "atëherë, do ta bëj", dhe më pas kamera ndaloi regjistrimin e tyre. /ZËRI