UASHINGTON- SHBA-të i dhanë sot lamtumirën ish-presidentit Jimmy Carter. Për Amerikën ky quhet fundi i një epoke, i cili gjatë presidencës së tij hasi probleme diplmatike. Ai u përball me krizën e pengjeve në Iran dhe ekonominë e dobët, por pas largimit nga Shtëpia e Bardhë pati një karrierë të gjatë dhe të shkëlqyer. Ai u varros sot me nderime në Uashington. Demokrati në largim Joe Biden mbajti eulogjinë për presidentin e 39-të, i cili vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare.
Në ceremoni morën pjesë presidenti i zgjedhur, Donald Trump, si dhe pesë ish-presidentët e gjallë të SHBA-së. Trupi i Carter u transportua më pas dhe u varros në Georgia, shteti ku ai u rrit dhe punoi si fermer kikiriku përpara se të bëhej president. Mijëra amerikanë morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua në Capitol gjatë dy ditëve të fundit. Carter në vitin 2002 u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në 2002 për punën e tij humanitare.
"Fundi i një epoke"
Disa amerikanë u shprehën se e admironin ish-presidentin, i cili luajti një rol të rëndësishëm në marrëveshjet e paqes midis Egjiptit dhe Izraelit, për mirësinë e tij dhe jo për prejardhjen e tij partizane. "Kohët kanë ndryshuar shumë që prej kohës kur ishte Jimmy Carter president, dhe kjo është disi e trishtueshme", tha 67-vjeçari Dorian DeHaan, udhëtoi për në Uashington nga Sugar Loaf, Nju Jork, një distancë prej 440 km për t'i dhënë lamtumirën ish-presidentit.
"Shpresoj që kjo të shërbejë si një kujtesë për disa se nuk është gjithçka për pushtetin, është për njerëzit", shtoi ai.
Duke pritur me shumë të tjerë jashtë Capitolit, DeHaan tha se vajza e tij u martua me një të afërm të familjës së Carter, kështu që ai pati një shans për ta takuar atë në Plains, Georgia.
“Është e trishtueshme. Është fundi i një epoke dhe mendoj se kemi humbur besimin te njerëzimi, te presidenca jonë”, shtoi ai.
Ceremonia mortore u mbajt në Katedralën Kombëtare, ku më parë aty iu dha lamtumira e fundit dhe parardhësve të tij, si Gerald Ford dhe Ronald Reagan. Carter mori pjesë në të dyja dhe mbajti eulogjinë në funeralin e Fordit. Në fakt, ai kishte bërë shaka në atë kohë se të dyve u pëlqente një karikaturë e revistës New Yorker, e cila tregonte një djalë të vogël duke i thënë babait të tij: “Babi, kur të rritem dua të bëhem ish-president”.
Pas funeralit, trupi i Carter do të dërgohet në vendlindjen e tij Plains, ku ai jetoi për 44 vjet pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Aty ishte “selia” e punës së tij diplomatike dhe humanitare. Carter jetoi më gjatë se çdo ish-president tjetër. Për dy vitet e fundit ai kishte ndërprerë trajtimet dhe merrte vetëm kujdes paliativ në shtëpi. Ai u shfaq për herë të fundit në publik në funeralin e gruas, Rosalyn, në nëntor 2023.
Në gusht, nipi i tij, Jason Carter, tha se gjyshi i tij mezi priste të votonte për Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të nëntorit – të cilat Trump fitoi. Biden, i cili është zgjedhur në Senatin e SHBA për dekada, ishte senatori i parë që miratoi ofertën e Carter për presidencën.
Një moment i pazakontë…
Por ajo çfarë u vu re nga kamerat ishte një moment mes presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe ish-presidentit Barack Obama, të cilët u fotografuan…duke qeshur. Në fakt ky nuk u prit mirë nga publiku, pasi dyshgja ndodheshin në një ceremoni mortore dhe ishin duke buzëqeshur. Obama po qeshte me diçka që i tha Trump, ndërsa reagimi i tij mori “kritika” nga Kamala Harris, e cila e vështroi atë sertë. /ZËRI