Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarve të tij është përmbyllur të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në këtë proces Thaçi po gjykohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për akuza që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë dhe ndikimin te dëshmitarët në çështjen e krimeve të luftës.
Në seancën e fundit, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë. Prokurori Matt Halling tha se bëhet fjalë për një rast të pazakontë, duke iu referuar edhe pozitës së mëparshme të Thaçit.
“Nuk ka pasur asnjëherë një çështje të tillë, një ish-burrështetas që është në gjykim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, bashkëpunon dhe jep udhëzime për të penguar zyrtarët për të ushtruar detyrat e tyre”, tha Halling.
Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit dhe Smakajt kundërshtoi përdorimin e transkripteve të siguruara nga prokuroria, duke argumentuar se ato nuk mund të jenë bazë e mjaftueshme për shpalljen e fajësisë.
Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, tha se mbrojtja nuk ka pasur mundësi të verifikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë mënyrën se si janë përgatitur këto materiale.
“Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet vetëm në shkallë të gjerë në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t’i marrë në pyetje ata”, tha Menegon.
Edhe avokati i Bashkim Smakajt, Jonathan Elystan Rees, vuri në pikëpyetje vlerën provuese të transkripteve të paraqitura nga prokuroria.
“Mund të quhen çfarëdo lloj dokumenti tjetër, por nuk mund të quhen në asnjë mënyrë prova me vlerë provuese”, tha Rees.
Ndërkohë, avokatët e Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit kërkuan që edhe klientët e tyre të shpallen të pafajshëm, duke argumentuar se gjatë procesit nuk është dëshmuar përfshirja e tyre në veprat për të cilat akuzohen.
“I vetmi verdikt në këtë rast do të ishte verdikti i pafajësisë”, tha avokati i Kilajt, Iain Edwards.
Për Fadil Fazliun, avokati David Young tha se nuk ka arsye që gjykata të japë një vendim tjetër.
“Verdikti i saktë, i duhur, është ai i pafajësisë ndaj z. Fazliut, për të dy akuzat”, tha Young.
Ndërsa avokati i Hajredin Kuçit, Alexander Admiraal, kritikoi mënyrën se si prokuroria e ka trajtuar klientin e tij në argumentet përfundimtare.
“ZPS-ja i kushtoi vetëm katër paragrafë z. Kuçi. Në asnjë prej tyre nuk trajtohej asnjë fakt, asnjë dëshmitar i identifikuar që mund ta ketë kontaktuar, asnjë mesazh i identifikuar që mund ta ketë dërguar, asnjë shënim prej tij”, tha Admiraal.
Me përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, tashmë pritet që gjyqtari të caktojë datën për shpalljen e aktgjykimit. Vendimi do të përcaktojë fatin e Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit në këtë proces për akuzat që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë./ZËRI