SERBI-Aleksandër Vuçiç ka zbuluar se kur do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit. Gjatë një interviste në 'TV Pink', Vuçiç ka njoftuar se do të japë dorëheqjen më 27 shtator. Presidenti i Serbisë ka treguar edhe planet e tij pasi të japë dorëheqjen, ku ka deklaruar se ka zgjedhur të udhëtojë dhe të vizitojë fshatrat e largët.
Aleksandër Vuçiç: Dua t'ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit. Atë mbrëmje do t'u drejtohem qytetarëve dhe do t'i falënderoj për mbështetjen. Kam qenë presidenti i Republikës për kohën më të gjatë që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në vendin tonë. Këtë nuk do të mund ta bëja pa qytetarët e këtij vendi. E vetmja gjë që mund të them është se i kam shërbyer me besnikëri Serbisë dhe qytetarëve të saj, me përkushtim dhe duke luftuar. Më pas do të shkoj në fushatën zgjedhore të 25 tetorit si një qytetar i zakonshëm. Kam marrë edhe një automjet, kam edhe makinën time. Kam marrë edhe një kamping, pasi nuk do të mund të fle kudo. Do të shkoj në fshatrat më të largëta, do të qëndroj deri vonë. Ka ende shumë fshatra ku nuk kam qenë. Dua të vizitoj edhe qytetet, të flas me njerëzit para dyqaneve, para lokaleve.
Largimi i tij do të vijë rreth një muaj para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do tëmbahen më 25 tetor. Lëvizjet erdhën pas muajsh protesta të udhëhequra nga studentët, të shkaktuara nga shembja e tendës së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Lëvizja studentore zyrtarisht bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare në maj të vitit të kaluar dhe njoftoi planet për të marrë pjesë me listën e vet zgjedhore./ZËRI