
BRUKSEL- Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se çështja e emigrantëve keqpërdoret nga partitë politike për të dobësuar projektin evropian. Në lidhje me marrëveshjen Itali-Shqipëri, ai tha se duhet të shihet me më shumë detaje dhe ende nuk mund të thojë diçka për këtë.
“Mendoj se ne nuk duhet të kemi frikë të shohim mënyra operacionale, mënyra konkrete për të qenë më efektivë në drejtim të menaxhimit të emigracionit. Sa i përket konkretisht protokollit Itali-Shqipëri, nuk dua të ndërhyj në debatin e brendshëm në Itali, por duhet të shqyrtojmë se cilat janë modalitetet konkrete dhe nuk mund të them se pikat e nxehta në Shqipëri janë të mira apo jo”, tha ai.
Sipas Michel, gjithçka varet nga mënyra se si mund të zbatohen parimet e së drejtës ndërkombëtare. Dhe për këtë arsye duhet të hyjnë në më shumë detaje, sepse ka elemente të rëndësishme që kanë rol, si proporcionaliteti i masave.
Në përgjithësi, sipas Michel, atmosfera brenda Këshillit Evropian tani ka ndryshuar kur bëhet fjalë për emigracionin.
“Mund t’ju them se debati i fundit që patëm javën e kaluar ishte shumë, shumë interesant, tani ka një konvergjencë më të madhe në idenë se duhet të luftojmë emigracionin ilegal. Sepse nuk mund t’i lejojmë trafikantët të vendosin kush mund të hyjë në Bashkimin Evropian”, shtoi Michel.
Ai gjithashtu tha se situata brenda Këshillit Evropian është më e qetë se ajo e vitit 2016, ku nuk kishte më besim mes liderëve dhe ka pasur fyerje mes njëri-tjetrit.
“Nuk ishte absolutisht e mundur të bëhej një bisedë racionale për emigracionin. Kishte fyerje dhe mosbesim. Ishte kaos total dhe u deshën disa vite për t’u rikthyer besimi brenda Evropës dhe besimi ishte shkatërruar për shkak të mënyrës se si emigrimi nuk u trajtua brenda Këshillit Evropian. Emigrimi është një sfidë politike, sepse ndonjëherë keqpërdoret nga disa grupe politike apo parti politike për të dobësuar projektin evropian”, u shpreh ai.
Ai ndërkaq garanton se është pro një koordinimi më të madh evropian për konceptin e vendeve të sigurta dhe ka gjithnjë e më shumë konsensus për këto ide dhe duhet më shumë bashkëpunim.
“Duhet të bëjmë gjithçka që të mos bëhemi cirku i botës. Jemi në një pikë kthese dhe është vërtet e rëndësishme për të ardhmen të ruajmë të njëjtin nivel ambicie që kishim në të kaluarën, të njëjtin pasion për projektin evropian. Ne duam më shumë sovranitet, duam më shumë ndikim në botë. Shpresoj që në Këshillin e ardhshëm Evropian, udhëheqësit, për shembull, t’i japin dritën jeshile lindjes së Bashkimit të Kapitalit”, përfundoi Michel.
Parlamenti Europian është përfshirë në një debat të nxehtë rreth marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë, që është përshkruar nga kritikët si “absurde” dhe “çnjerëzore”. Vendimi për të riatdhesuar 16 emigrantë nga Italia drejt Shqipërisë, përmes një marrëveshjeje të firmosur nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu shqiptar Edi Rama, ka ngjallur reagime të ashpra nga disa grupe politike në Strasburg.
Marrëveshja është kritikuar gjerësisht nga liberalët, socialistët dhe grupet e majta, të cilët theksojnë se politika e azilit dhe riatdhesimit në Shqipëri bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare. /ZËRI