IRAN- Një re e dendur tymi të zi ka mbuluar qiellin e Teheranit pas sulmeve të kryera nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ndaj objekteve të naftës. Situata në kryeqytetin iranian mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët raportojnë shpërthime të forta dhe zjarre të mëdha gjatë natës.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, në shënjestër janë vendosur katër depo për ruajtjen e naftës dhe një qendër transferimi të produkteve të naftës në provincat Teheran dhe Alborz. Kjo shënon dhe goditjen e parë ndaj impianteve industriale të naftës të Iranit që nga fillimi i konfliktit SHBA- Izrael kundër Iranit.
Ndërkohë, sipas raportimeve të BBC, në vend është ndërprerë qasja në internetin global. Shumë qytetarë nuk mund të lidhen me rrjetet ndërkombëtare pa përdorur VPN, ndërsa disa prej tyre thonë se çmimet për këto shërbime janë rritur ndjeshëm.
Gazetarja Fatemeh Rajabi publikoi në platformën X fotografi të qiellit mbi Teheran rreth orës 09:00 sipas orës lokale, ku duket një mjegull e errët që ka mbuluar qytetin. Ajo raportoi gjithashtu për reshje shiu në disa zona.
Sipas disa dëshmive në rrjet, bashkë me shiun kanë rënë edhe grimca të zeza të ngjashme me pluhurin e barutit, çka ka shtuar shqetësimin e banorëve. Disa prej tyre kanë bërë thirrje që njerëzit të shmangin daljen jashtë gjatë reshjeve./ZËRI