
TURQI- Shtohen tensionet jashtë gjykatës së Stambollit ku qindra mbështetës të Ekrem Imamoglu janë mbledhur dhe po brohorasin në favor të kryebashkiakut të Stambollit, ndërkohë që përplasen me forcat e Policisë. Pavarësisht se me ligj u janë ndaluar tubimet deri më 27 mars, mbështetësit e Imamoglu qëndrojnë jashtë gjykatës, ndërsa arrestimet vazhdojnë.
View this post on Instagram
Po ashtu, për të ndarë turmat, Policia ka marrë 5000 kolegë edhe nga krahinat e tjera, për të menaxhuar turmat. Kundër tyre, Policia po përdor ujin dhe ka ngritur në ajër dhjetra dronë. Kryetari i Bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua të mërkurën me akuzat për "korrupsion" dhe "terrorizëm", ka bërë edhe një reagim për turmën.
“Akuzat joetike dhe të pabaza kundër meje, nga raportet e fabrikuara deri tek koha e hetimeve, kanë për qëllim minimin e reputacionit dhe besueshmërisë sime. Ata që qëndrojnë pas kësaj strategjie do të duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre para gjykatave. Unë do të ngre një padi kundër individëve dhe institucioneve të përfshira në këtë aksion kundër meje. Ky proces jo vetëm që dëmton reputacionin ndërkombëtar të Turqisë, por edhe shkatërron gjithashtu besimin te drejtësia dhe ekonomia. Unë e ndjej fuqinë e miliona njerëzve që më mbështesin. Sido që të ndodhë, do të luftoj për drejtësinë dhe të vërtetën me mjete ligjore deri në fund të jetës sime,”- deklaroi ai.
Arrestimi i tij këtë javë ka rritur tensionin politik dhe ka shkaktuar protesta të gjera në të gjithë Turqinë. Demonstratat janë paralajmëruar se do të zhvillohen në shumë qytete të tjera të vendit, si dhe në Izmir (perëndim) dhe kryeqytetin Ankara. Në total, tubime janë zhvilluar në të paktën 55 nga 81 provincat e Turqisë që nga e mërkura, më shumë se dy të tretat e vendit. Ndërkohë aktualisht, kryebashkiaku i Stambollit po merret në pyetje për herë të dytë nën akuzat për korrupsion dhe mbështetje për terrorizëm. Bashkë me të, 90 persona të tjerë janë arrestuar./ZËRI