
SHBA- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur "non grata" ish-presidenten e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner dhe një prej ministrave të saj për akuza për korrupsion. Sipas mediave të huaja, Fernandez de Kirchner ishte në pushtet për dy mandate, nga viti 2007 dhe 2015. Ajo gjithashtu shërbeu si zëvendëspresidente nën paraardhësin e Milei, Alberto Fernandez.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha në një deklaratë për mediat se Fernandez de Kirchner dhe ish-ministri i Planifikimit, Julio Miguel De Vido kishin abuzuar me pozitën e tyre duke orkestruar dhe përfituar miliona dollarë 'të vjedhura' nga kontratat publike. Fernandez de Kirchner - presidentja aktual i partisë opozitare peroniste të Argjentinës - është një rivale e e presidentit Javier Milei, një nga aleatët më të ngushtë të Presidentit të SHBA Donald Trump në skenën ndërkombëtare. Madje mori pjesë edhe në ceremoninë e inagurimit të Trump.
Ish-presidentja fajësoi Milei-n për vendimin e Shtëpisë së Bardhë.
"Ju keni lënë gjurmët tuaja në të gjithë këtë gjë që keni stisur ndaj meje," tha Fernandez de Kirchner në një postim në Facebook, duke iu referuar presidentit aktual.
Problemet ligjore të Fernandez de Kirchner
Fernandez de Kirchner vazhdon të ketë ndikim të konsiderueshëm politik në Argjentinë, por popullariteti i saj është dëmtuar nga problemet ligjore që sa vijnë dhe shtohen. Ajo u shpall fajtore në vitin 2022 nga një panel prej tre gjyqtarësh për dhënien e kontratave publike me një vlerë totale prej 1 miliard dollarësh fonde publike për kontraktorët të paracaktuar, madje pa zhvilluar një proces të hapur tenderimi. Për ngjarjen u akuzua ajo dhe bashkëshorti i saj i ndjerë Nestor Kirchner, i cili gjithashtu shërbeu si president i Argjentinës nga 2003 deri në 2007.
Në vitin 2024, një gjykatë la në fuqi dënimin e saj për dhënien e kontratave shtetërore tek një shoqe e saj, duke e dënuar me 6 vite burg. Po ashtu, iu ndalua që të mbante poste publike. Ish-presidentja, e cila ende nuk është në burg, ka apeluar vendimin dhe e ka çuar çështjen në gjykatën e lartë të vendit./ZËRI