
SHBA-Presidenti Donald Trump ka komentuar në rrjetet sociale sulmet raketore iraniane ndaj bazës së SHBA-së në Katar. Në reagimin e tij, Trump e cilëson sulmin e Iranit, drejt bazës ushtarake në Katar, si një përgjigje të dobët. Presidenti amerikan shprehet se fatmirësisht asnjë nuk u lëndua dhe shpreson që Irani të shkojë drejt paqes.
Donald Trump: Irani i është përgjigjur zyrtarisht shkatërrimit të objekteve të tij bërthamore nga ana jonë me një kundërpërgjigje shumë të dobët, ashtu siç e kishim parashikuar, dhe që e kemi neutralizuar me shumë efektivitet. Janë lëshuar 14 raketa — 13 prej tyre janë rrëzuar, ndërsa 1 është “lënë e lirë” pasi po shkonte në një drejtim që nuk përbënte kërcënim. Jam i kënaqur të raportoj se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe dëmet kanë qenë thuajse të papërfillshme. Më e rëndësishmja, ata duket se e kanë “shkarkuar” gjithë mllefin e tyre, dhe shpresojmë që nuk do të ketë më urrejtje në të ardhmen. Dua të falënderoj Iranin për paralajmërimin e hershëm, i cili e bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do të inkurajoj me gjithë zemër që edhe Izraeli të bëjë të njëjtën gjë. Ju faleminderit për vëmendjen!
Sulmet iraniane erdhën si hakmarrje ndaj sulmeve ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë fundjavës, duke tensionuar më tej situatën në Lindjen e Mesme./ZËRI