Bota

FT+VD: Protesta masive kundër Elon Musk në të gjithë botën

Lëvizja e quajtur "Tesla Takedown" u bën thirrje qytetarëve të ndërmarrin tre hapa konkretë: të mos blejnë më asnjë produkt të Tesla-s, të shesin aksionet e Tesla-s dhe t'i bashkohen protestave.

Meri Lika
FT+VD: Protesta masive kundër Elon Musk në të gjithë
Elon Musk

SHBA- Mijëra njerëz protestuan para ekspozitave të Tesla në mbarë botën dje, duke dalë kundër Elon Musk dhe rolit të tij  në qeverinë federale të SHBA-së të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump. Protesta u mbajtën pothuajse në të gjitha shtetet e SHBA-së, por edhe në Australi, Zelandën e Re, Kanada, Irlandë, Gjermani, Zvicër, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë vende të tjera evropiane.

Lëvizja e quajtur "Tesla Takedown" u bën thirrje qytetarëve të ndërmarrin tre hapa konkretë: të mos blejnë më asnjë produkt të Tesla-s, të shesin aksionet e Tesla-s dhe t'i bashkohen protestave. Një nga sloganet thotë: Të dëmtosh Teslën është të ndalosh Musk. Të ndalosh Musk është të shpëtosh jetë dhe demokraci.

Protestat nga Australia në SHBA

Rreth 200 tubime kanë ndodhur dje në mbarë botën. Në Irlandë, tema ishte "Smash the Fash"(Zhdukini fashistët), ndërsa zviceranët dolën me mesazhin "Poshtë DOGE", duke iu referuar të ashtuquajturit Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) të Musk, një organ i ri federal i kryesuar nga ai, qëllimi i të cilit është shkurtimi i buxhetit të shtetit. 


Në San Francisko, rreth 200 njerëz u mblodhën para një ekspozite të kompanisë "Tesla". Kalimtarët i binin borive në shenjë mbështetjeje. Shoëroom-i i Tesla-s në Berkeley është mbyllur çdo të shtunë për një muaj për shkak të protestave të vazhdueshme. 

"Kjo lëvizje nuk është kundër makinave elektrike, kjo është kundër Musk"

Disa qindra protestues u mblodhën në Nju Jork. Organizatorja Sophie Shepherd e grupit "Planet Over Profit" shpjegoi: Ne jemi këtu sepse Musk po përdor Teslën si një levë për pushtet politik. Qëllimi ynë është të prishim biznesin e tij sa më shumë që të mundemi.

Marty (82 vjeç), i cili protestoi edhe kundër luftës së Vietnamit në vitet 1960, tha: Unë po protestoj sot sepse kam frikë për vendin tim. Kjo është një përpjekje e oligarkëve për të marrë nën kontroll vendin. 

Po ashtu, një protestë e quajtur "Tesla Takedown Dance Party" u mbajt në Uashington - me vallëzim, muzikë dhe mesazhe.

Një protestë u mbajt në Londër përgjatë rrugës A40 përballë sallës së ekspozitës Tesla. Aktivisti Nigel ëarner tha se Musk "po financon të djathtën ekstreme dhe po frikëson republikanët që nuk pajtohen me Trump".

Vandalizmi dhe reagimi i qeverisë

Protestat po zhvillohen paralelisht me një shtim të dhunës dhe vandalizmit kundër objekteve të Tesla në të gjithë SHBA. Policia e Nju Jorkut është në kërkim të njerëzve që gdhendën fjalën "nazist" dhe një svastikë në një Cybertruck në Brooklyn këtë javë. Organizatorët e lëvizjes "Tesla Takedoën" distancohen nga sulme të tilla dhe theksojnë se ato janë një lëvizje paqësore që kundërshton dhunën dhe shkatërrimin e pronës.


Megjithatë, Donald Trump njoftoi se do të klasifikonte çdo formë dhune kundër objekteve të Tesla-s si terrorizëm të brendshëm.

Si nisi gjithçka?

Një valë protestash dhe vandalizmi ka filluar që kur Musk iu bashkua Trumpit në administratën e tij. Më pas ndodhi edhe përshëndetja e diskutueshme e Musk në natën e inaugurimit, kur ai ngriti dorën e djathtë në ajër përpara një turme mbështetësish të Trumpit.

Njerëzit në të gjithë Amerikën fillimisht treguan pakënaqësinë e tyre me protestat paqësore, të cilat më pas u përshkallëzuan në dhunë dhe shkatërrim të pronës. Në fillim të marsit, 7 stacione të karikimit të makinave Tesla në Massachusetts u dogjën.

Si pasojë, shitjet e Tesla-ve kanë rënë. Shitjet në Gjermani kanë rënë ndjeshëm, me shifrat që tregojnë se 76 për qind blerje më pak. Në Kinë, shitjet ranë me 11.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Norvegjia, Danimarka dhe Suedia shënuan një rënie prej 40% në shitje, ndërsa Franca një rënie prej 26%./ZËRI

Poll

MOS HUMB