
KOLUMBI- Kongresi i Kolumbisë ka propozuar një ligj që ndalon shitjen e mallrave që lavdërojnë dhe idealizojnë figurën e bosit të drogës Pablo Escobar, i cili ka udhëhequr kartelin famëkeq “Medellin”. Karteli i tij ka qenë i lidhur me mijëra vrasje. Një person, i cili e ka njohur Pablo Escobar rrëfen se ishte vetëm 10 vjeç kur babai i tij ndërroi jetë në një aksident ajror. Ai rrëfen se avioni 203 Avianca me 107 pasagjerë shpërtheu pak minuta pas nisjes, ku asnjë nuk arriti të mbijetojë nga ky aksident ajror. Por, hetimet treguan se në të vërtetë nuk ishte një aksident, por Escobar qëndronte pas atij sulmi. Historia e tij e dhimbshme nuk është e vetmja, shumë qytetarë ose famijarë të tyre kanë vuajtur nga karteli Medellin.
Ndërsa, një epokë e përcaktuar nga luftërat e drogës, bombardimet, rrëmbimet dhe një shkallë e lartë e vrasjeve është zhvendosur kryesisht në të kaluarën e Kolumbisë, trashëgimia e Escobar-it jo. Krimineli famëkeq, i cili u vra nga forcat e sigurisë në vitin 1993, ka arritur një status pothuajse të ngjashëm me fetë dhe kultet në mbarë botën, i përjetësuar në libra, muzikë dhe prodhime televizive si seriali Netflix Narcos.
Në vetë Kolumbi, emri dhe fytyra e tij janë stolisur në bluza, zinxhirë çelësash dhe çanta në dyqanet turistike që blehen kryesisht nga turistët. Por një ligj i propozuar në Kongresin e Kolumbisë po kërkon ta ndryshojë këtë.

Projektligji synon të ndalojë mallrat e Escobar - dhe atë të kriminelëve të tjerë të dënuar - për t'i dhënë fund glorifikimit të një bosi droge, i cili ishte qendror në tregtinë globale të kokainës dhe që konsiderohet gjerësisht përgjegjës për të paktën 4,000 vrasje.
“Çështjet e errëta që janë pjesë e historisë dhe kujtesës së vendit tonë nuk mund të mbahen kujtohen dhe të glorifikohen nga veshjet apo sende të tjera që shiten në rrugë”,- tha Juan Sebastián Gómez, anëtar i Kongresit dhe bashkëautor i projektligjit.
Ligji i propozuar kërkon të ndalojë shitjen, si dhe përdorimin dhe mbajtjen e veshjeve dhe sendeve që promovojnë kriminelët, përfshirë Escobarin. Personat që shkelin rregulla do të gjobiten dhe bizneset që nuk iu binden atyre do të pezullohen./ZËRI