SHBA- Shkëmbimi i sulmeve mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyy ka shkaktuar shqetësim global, që CNN argumenton në analizën e saj se "fituesi i vetëm është Rusia". Pyetja që mbetet e hapur është nëse grindja mes dy burrave do të shkatërrojë shpresat për paqe në Ukrainë me ndërmjetësimin e SHBA-së apo nëse, përkundrazi, do ta lehtësojë atë.
Karakterizimet e Trump për Zelenskyy ishin veçanërisht të ashpra: ai e quajti atë një "diktator pa zgjedhje", i kërkoi të shkonte në zgjedhje nëse dëshiron të merrte pjesë në negociat. Ato që tha dhe shkroi Trump në mediat sociale për Zelenskyy-n nuk janë sulme të izoluara.
“Për vite me radhë, Trump e ka trajtuar Zelenskyy-n me skepticizëm, duke vënë në pikëpyetje vendimet e tij, duke kritikuar gjithashtu lidhjet e tij të ngushta me administratën Biden”.
Ana e Trump
Deklaratat publike të presidentit ukrainas duket se i kanë shtuar benzinë zjarrit, veçanërisht pas kritikave të tij për mungesën e Kievit në bisedimet SHBA-Rusi në Riad. Ndihmësit e Trump ishin të frustruar prej kohësh, me bezdinë e tyre që "vlonte" kur dëgjuan Zelenskyy-n të thoshte për presidentin amerikan se "ai jeton në një flluskë dezinformimi".
Burimet e cituara nga CNN raportojnë se kjo akuzë e shqetësoi vetë Trumpin, i cili u tha bashkëpunëtorëve me të cilët ndodhej në Florida se donte të përgjigjej menjëherë, vendim që çoi në postimin agresiv në Truth Social, teksa po drejtohej për në klubin e tij të golfit në Miami.
“Është një zhgënjim.Ekziston një ndjenjë se kjo luftë e egër duhet të ndalet dhe ky moment duket se sa vjen dhe largohet pas deklaratave publike të Zelenskyy-t”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN.
Ana e Zelenskyy-t
Megjithatë, sipas mendimit të Zelenskyy-t, fundi i luftës që Trump parashikon është shumë i ngjashëm me atë që po kërkonte Rusia, pasi zyrtarët e qeverisë amerikane tashmë janë shprehur kundër anëtarësimit të Kievit në NATO, duke deklaruar se trupat amerikane nuk do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së Ukrainës kur të përfundojë lufta. Siç thotë presidenti ukrainas, pikërisht për këto arsye ai nuk mund të përmbahet nga deklaratat e tij politike.
Strategjia pas sulmeve
Shumë nga aleatët e Trump thanë se Zelenskyy duhet ta kishte parashikuar zemërimin e Trump.
“Ideja që Zelenskyy do të ndryshonte mendjen e presidentit duke e keqtrajtuar atë në mediat publike... kushdo që e njeh presidentin e di që kjo është mënyra më e tmerrshme për t'u marrë me këtë administratë,”-tha zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance për "Daily Mail".
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë këmbëngulin se qëllimi kryesor - ndoshta i vetëm - i Trump është t'i japë fund konfliktit 3-vjeçar në Ukrainë, për të cilin ai beson se u keqpërdor nga administrata e mëparshme. Shprehja që ai ka thënë është karakteristike: Nuk më intereson aq shumë asgjë tjetër, përveç dëshirës për të ndaluar vrasjen e miliona njerëzve.
Megjithatë, është e paqartë, sipas CNN, se si ai do ta arrijë këtë qëllim, ndërsa në të njëjtën kohë keqpërdor Zelensky dhe rreshtohet me pozicionet ruse. Disa këshilltarë të Trump argumentojnë se një arsye pas shpërthimit të Trump është të frikësojë Evropën që të japë më shumë para për të mbrojtur Ukrainën./ZËRI