
PRISHTINË- Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari tha se do t'i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, për mënyrën sesi do të veprohet më tutje. Para nisjes së seancës, kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të kabinetit qeverisës hoqën dorë nga postet e tyre për të bërë betimin si deputetë. Por partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja nuk po e pranojnë dorëheqjet, e si kundërpërgjigje Kurti i ka akuzuar këto parti për "sulm brendainstitucional".
“Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot,”- shkroi Kurti në Facebook. Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do të votojë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, sapo anëtarët e Qeverisë – që janë zgjedhur deputetë - të japin dorëheqje. Sipas tij, e gjithë kjo është pjesë e një loje politike për të zvarritur krijimin e institucioneve dhe për të blerë kohë.
“Është episod i errët në demokracinë parlamentare ku partia fituese nuk respekton rregullin bazik që thotë që një i zgjedhur s’mund të jetë edhe ministër, kryeministër, e deputeti i Kosovës,”- tha Abdixhiku.
Ndërkohë, këshilltari për media në Zyrën e presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, u kontaktua nga "Radio Evropa e Lirë" duke u shprehur se deri më tani nuk kanë marrë asnjë letër nga Kuvendi lidhur me të që ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Para përgjigjes duhet të vijë pyetja,”-tha Kupina.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila si parti fituese e zgjedhjeve ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit dhe as nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për zgjedhjen e tij. LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, më herët kishte deklaruar se preferonte të krijonte institucionet e reja me komunitetet joserbe, por së voni e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvend. Nga kjo parti kanë theksuar se u nevojiten edhe dy vota për të arritur numrin prej 61 votash.
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka siguruar 24 ulëse në Kuvend, kanë bërë me dije se deputetët e saj nuk do të marrë pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës konstituive të Kuvendit, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”. Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 20 deputetë në Kuvend, nuk ka saktësuar se a do ta votojë të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar, por ka thënë se cilido person që nuk i ka 61 vota, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila bashkë me partneren e saj në koalicion, Nismën Socialdemokrate kanë tetë deputetë në Kuvend, kanë theksuar se “në parim, do të votojë për kryeparlamentarin e ri”, të propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje. Subjektet politike të komuniteteve joshumicë kanë të garantuara 20 ulëse në Kuvend – 10 për partitë joserbe dhe 10 për ato serbe./ZËRI