Bota

Bordi i Paqes/ Trump tërheq ftesën për Kanadanë, pas kritikave të Carney për ‘thyerjen e rendit global’

Marrëdhëniet midis Kanadasë dhe SHBA-së janë tensionuar që kur Trumpi vendosi tarifa për mallrat kanadeze dhe më vonë ndaloi bisedimet tregtare për shkak të një reklame anti-tarifore

E.K
Bordi i Paqes/ Trump tërheq ftesën për Kanadanë, pas
trump dhe carney

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka tërhequr ftesën për Kanadanë për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes”, organi i ri ndërkombëtar i krijuar prej tij, dhe i zyrtarizuar ditën e djeshme në Forumin e Davos në Zvicër.

Në një postim në platformën Truth Social, drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney, Trump shkroi se Bordi i Paqes po e tërheq ftesën për anëtarësimin e Kanadasë. Presidenti amerikan nuk dha asnjë arsye konkrete për këtë vendim, megjithatë sipas tij Bordi është organizimi më prestigjioz i udhëheqësve që është mbajtur ndonjëherë.

"Ju lutem lejoni që kjo letër të shërbejë për të përfaqësuar se Bordi i Paqes po tërheq ftesën e tij drejtuar jush në lidhje me bashkimin e Kanadasë me atë që do të jetë Bordi më prestigjioz i udhëheqësve të mbledhur ndonjëherë, në çdo kohë", shkroi Trumpi në platformën e tij Truth Social, duke iu drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney.

Vendimi vjen pak ditë pasi Carney kishte bërë bujë me deklaratën e tij për një “çarje” në rendin global të udhëhequr nga SHBA. Pas fjalimit të Carney, Trump e kritikoi ashpër kryeministrin kanadez të mërkurën kur tha se Kanadaja duhet të jetë "mirënjohëse" ndaj SHBA-së.

Kanadaja kishte sinjalizuar më herët se ishte e gatshme të bashkohej me bordin, por pa paguar tarifën e anëtarësimit.

Sipas administratës amerikane, anëtarët e përhershëm të Bordit të Paqes do të duhet të paguajnë një tarifë prej 1 miliard dollarësh për të ndihmuar në financimin e këtij mekanizmi të ri, gjë që Otava ka refuzuar ta bëjë.

Zyra e kryeministrit Carney nuk reagoi menjëherë pas postimit të Trump, megjithëse javën e kaluar ai kishte deklaruar se, në parim, do ta pranonte ftesën e presidentit amerikan.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se liderët evropianë kanë dyshime serioze mbi kompetencat dhe rolin e Bordit të Paqes, por janë të gatshëm të bashkëpunojnë me këtë organ në çështje që lidhen me Gazën./ZËRI 

Poll

MOS HUMB