Bota

Armëpushimi Iran-Izrael, Trump nominohet për Çmimin Nobel për Paqen!

Nominimi është dorëzuar zyrtarisht nga përfaqësuesi republikan Buddy Carter, i cili në një letër drejtuar Komitetit të Nobelit vlerëson “rolin historik dhe të jashtëzakonshëm” të Trump në arritjen e marrëveshjes së paqes

F.I
Armëpushimi Iran-Izrael, Trump nominohet për Çmimin Nobel
Donald Trump

SHBA-Presidenti amerikan Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqen, pas ndërmjetësimit të tij në arritjen e një armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit, një ngjarje që erdhi pas një konflikti 12-ditor, raporton Fox News.

Nominimi është dorëzuar zyrtarisht nga përfaqësuesi republikan Buddy Carter, i cili në një letër drejtuar Komitetit të Nobelit vlerëson “rolin historik dhe të jashtëzakonshëm” të Trump në arritjen e marrëveshjes së paqes, duke theksuar se veprimet e tij ndihmuan në ndalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit.

“Presidenti Trump ndërmori veprime të guximshme dhe vendimtare për të ndaluar ambiciet bërthamore të Iranit dhe për të parandaluar një luftë të madhe në rajon. Ai u përfshi në një marrëveshje që shumë e konsideronin të pamundur,” – shkruhet në letrën e Carter.

Kjo nuk është hera e parë që Trump nominohet për këtë çmim prestigjioz. Më herët gjatë vitit, ai është propozuar edhe për ndikimin e tij global pas fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ndërkohë, sipas faqes zyrtare të Nobelit, për vitin 2025 janë paraqitur gjithsej 338 kandidatura për Çmimin për Paqe.

A mund të fitojë vërtet Trump Nobelin?

Historikisht, Komiteti i Nobelit ka vlerësuar figura që kanë sjellë marrëveshje paqeje afatgjata ose kanë ndërmjetësuar zgjidhje të qëndrueshme, siç ndodhi me Jimmy Carter në vitin 2002 apo Barack Obama në 2009. Trump është nominuar edhe më parë për këtë çmim, veçanërisht pas marrëveshjeve të Abraham Accords në Lindjen e Mesme, por nuk është përzgjedhur si fitues.

Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2025 do të shpallet në tetor, dhe mbetet për t’u parë nëse roli i Trump në këtë konflikt do të konsiderohet i denjë për të marrë vlerësimin më të lartë ndërkombëtar për kontributin në paqe./ZËRI

Poll

MOS HUMB