Aktualitet

Zjarri tek Metalurgjiku, drejtuesi i zjarrfikësve për "Zëri.ai": Flakët ende intensive, frikë nga pajisjet

Zjarri ende vazhdon prej më shumë se 8 orësh, Sota tha se aktualisht në fabrikë po punojnë 8 mjete zjarrfikëse me 25 efektivë, e po ashtu edhe 2 autobote.

k.m.
Zjarri tek Metalurgjiku, drejtuesi i zjarrfikësve për
Zjarri në Elbasan

ELBASAN- Drejtuesi i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan, Emirjon Sota  në një prononcim për "Zëri.ai" ka dhënë detaje lidhur me situatën e zjarrit në fabrikën "Kurum". Ndërkohë që zjarri ende vazhdon prej më shumë se 8 orësh, Sota tha se aktualisht në fabrikë po punojnë 8 mjete zjarrfikëse me 25 efektivë, e po ashtu edhe 2 autobote. Ndihmë u ka ardhur nga Cërriku, Belshi, Tirana dhe Fieri. Sipas drejtuesit të shërbimit zjarrfikës, nuk përjashtohet mundësia që nga zjarri të ketë shpërthime, pasi tek metalet që futen për t'u shkrirë janë edhe pajisje që janë shitur për "skrap". Për të, pajisjet janë më të rrëzikshmet, megjithatë sqaroi se deri më tani nuk ka ndodhur asnjë shpërthim që mund të rrezikojë jetën e tij dhe të kolegëve që po punojnë bashkë me të. 

"Aktualisht në vendin e ngjarjes janë 8 mjete, 2 autobote dhe 25 efektivë. Kemi ndihmë nga Cërriku, Belshi, Tirana dhe Fieri. Po punojmë për minimizimin e flakëve, por rreth e rrotull nuk ka banesa. Situata vazhdon që të jetë me intensitet të lartë. Besoj që në vazhdim flakët do të shuhen, po punojmë. është një zjarr i një lloji të veçantë nga vetë lënda që po digjet. Janë mbetjet e metaleve. Deri më tani nuk ka pasur shpërthime dhe as lëndime. Por nuk përjashtohet mundësia, pasi në brendi të metale ka edhe materiale, mund të ketë pajisje jashtë funksionit. Zjarri është në brendësi të grumbullit të mbetjeve, ndërkohë që jemi ende duke punuar aktualisht për shuarjen e flakëve. Sa i përket shkakut të zjarrit, është ende herët për të folur,"-tha Sota për "Zëri.ai".

Flakët kanë më shumë se 8 orë që janë aktivizuar, por ende nuk janë vendosur nën kontroll. Nëse për zjarrfikësen, shkaku i zjarrit është ende herët që të zbulohet, Policia e Elbasanit ka vepruar ndryshe. Sipas tyre, flakët kanë nisur nga një shkëndijë, kjo e krijuar nga fërkimi i mbetjeve metalike tek depozitimi, para se metalet të hyjnë në furrën e hekurit. Por hetimet ende vazhdojnë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB