
TIRANË- Amnisti për rreth 570 të dënuar! Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka firmosur sot pas 2 vitesh mungesë, amnistinë për të dënuar deri në 2 vite burg. Zakonisht, Amnistia Penale është traditë e çdo fundviti që merr qeveria, por vitet e fundit është shtyrë për disa vite, ndërsa projektligji i sotëm, pritet që të miratohet brenda pak ditësh në Parlament. Në projektligjin që ka siguruar edhe "Zëri.ai", parashikohet qartë se cilat janë kategoritë përfituese. Nga vëzhgimi i bërë në dokument; nga amnistia përfitojnë personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht me gjobë apo personat, të dënuarat femra, por edhe personat që në kohën që kanë kryer veprën penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç. Por theksohet se kjo amnisti nuk do të aplikohet tek personat që kanë kryer krime të rënda, si psh. vrasje.
1. Përjashtohen nga vuajtja e dënimit:
a) personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.06.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
b) personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.06.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
c) personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
d) personat femra, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet.
e) personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
f) personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 65 vjeç.
g) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
2. Të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, sipas pikës 1, të këtij neni, ose, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara në pikën 1 dhe 2, të nenin 4 të këtij ligji, u zbritet:
a) 1 vit e gjysëm për personat e dënuar, gra, dhe të miturve;
b) 1 vit për personat e dënuar, burra.
Amnistia penale për të burgosurit zakonisht aplikohet në fundvit, ku përkon dhe me festat zyrtare por këtë herë është vepruar ndryshe. Nga amnistia përfitojnë ata të burgosur, të cilët ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit për vepra penale të lehta dhe pa rrezikshmëri shoqërore. Amnistia penale e fundit është bërë në vitin 2020.
Ndërkohë burgjet shqiptare po përballen vitet e fundit me një mbipopullim të qelive. Kjo siç duket ka nxitur dhe qeverinë të marrë masa. Kalimi në Kuvend i këtij projektligji kërkon 84 vota pro dhe sipas Ligjit, efektet e aministrisë do të jepen 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare./Zëri.ai