
GJIROKASTËR- Dy shtëpinë në Gjirokastër përkatësisht në pronësi të Çezar Gjoksit dhe Çlirim Gjoksit janë djegur plotësisht nga një zjarr që shpërtheu papritur këtë pasdite. Çlirim Gjoksi ka treguar momentet e vështira kur familjarët e tij mezi kanë mundur të dalin nga banesa e përfshirë nga flakët.
“Mirë që nxora të vegjlit, i kisha kokë-kokë, dolën nuset e fëmijët e dy djemtë, unë dhe gruaja, mezi dolëm atje lart. Nga çatia e dëgjuam dhe brenda ishim 10 veta rrinim tek kati i parë hanim bukë. Shkova të fle kur pashë zjarrin”-u shpreh Çlirim Gjoksi për Top Channel.
Po ashtu banesat e tjera rrezikonin të përfshiheshin nga flakët dhe fqinjët kanë rrëfyer se dolën në rrugë të shqetësuar nuk kanë pasur asnjë mundësi për të ndihmuar ndërhyrjen.
” Ne na hyri flaka edhe pak, 5m larg është. Nuk patëm asnjë mundësi të ndërhynim. Zjarri erdhi nga kjo anë dhe deri sa arriti në anën tjetër arritën zjarrfikëset. Nuk e di në ishte me dashje a pa dashje. I zoti i shtëpisë nga erdhi zjarri u ngrit e iku”-u shpreh fqinji.
Çezar Gjoksi jetonte i vetëm por nuk gjendej në banesë në momentin e zjarrit ndërsa Çlirim Gjoksi tha se ishin duke drekuar në momenti që pikasën zjarrin bashkë me fëmijët nipërit e mbesat që kishin shkuar për vizitë. Të dy banesat në lagjen historike janë më shumë se 200 vjeçare dhe mendohet se shkak për zjarrin është bërë një shkëndijë elektrike në tavanin e njërës prej tyre./ZËRI