Aktualitet

Ishte me uniformën e shërbimit! Zjarrfikësi i Këlcyrës tenton të trafikojë armë zjarri në Sarandë

Sipas policisë, Osmani ishte një punonjës i stacionit të zjarrfikëses së Këlcyres dhe në momentin që është arrestuar nga policia, ai ishte me uniformën e punës.

I.F
Ishte me uniformën e shërbimit! Zjarrfikësi i Këlcyrës
Pamje nga operacioni i policisë

SARANDË- Dy persona janë arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi ishin përgatitur që të trafikonin 10 armë zjarri. Efektivët kanë arrestuar drejtuesin e makinës Mehmet Canaj, 24 vjeç, dhe pasagjerin Klaudio Osmani, 23 vjeç nga Këlcyra, Përmet. Sipas policisë, Osmani ishte një punonjës i stacionit të zjarrfikëses së Këlcyres dhe në momentin që është arrestuar nga Policia, ai ishte me uniformën e punës.

Sipas hetimeve të policisë, të rinjtë do të shisnin armët në Sarandë, por ende nuk është zbuluar se kujt do t’i dërgoheshin. Blutë janë duke hetuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë vepër kriminale.

Armët, tip “Glock” ishin fshehur në një qese dhe po ekzaminohen në Institutin e Policisë Shkencore nëse ata janë përdorur në ngjarje kriminale.

"Strukturat e Hetimit në DVP Vlorë dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të armëve, si dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i disponojnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knock Out 7”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Mehmet Canaj, 24 vjeç, dhe Klaudio Osmani, 23 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, Përmet.

Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin Mehmet Canaj dhe pasagjer shtetasin Klaudio Osmani (i cili rezulton edhe i punësuar në stacionin zjarrfikës Këlcyrë), sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta tip “Glock” dhe 150 fishekë luftarak. Nga veprimet hetimore, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po i transportonin armët me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Sarandës”, njofton policia. /ZËRI

Poll

MOS HUMB