
TIRANË- Sërish zjarr në kryeqytet! Sot, është përfshirë nga flakët një banesë 3-katëshe në rrugën “Misto Mame”, në periferi të Tiranës. Si pasojë e tymit, kryefamiljari është asfiksuar. Menjëherë, ai është marrë nga ambulanca dhe është transportuar në spital, ku raportohet se po merr mjekimin e nevojshëm nga bluzat e bardha, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë që në vendin e ngjarjes shihen 5 mjete zjarrfikëse që po punojnë për shuarjen e flakëve. Por ndërhyrja u vështirësua për shkak të rrugicave të ngushta të zonës. Deri më tani, Policia ka bërë me dije se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti në bombolën e gazit. Për shkak të zjarrit, ka pasur dëmtime edhe në një dyqan bojërash dhe çatia e katit të tretë.
Siç duket nga pamjet është shkrumbuar totalisht nga flakët. Megjithatë deri më tani, pavarësisht vështirësisë, situata është nën kontroll.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 17.09.2023, rreth orës 14:35, në lagjen "Misto Mame", dyshohet se si pasojë e një defekti në bombulën e gazit, ka rënë zjarr në një banesë private. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e zjarrfikëses dhe të Policisë, të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Pesë mjete zjarrfikëse janë angazhuar për të fikur zjarrin në banesën në zonën e njohur në kryeqytet pranë Kombinatit, e njohur si ‘Misto Mame’. Shkak i zjarrit është bërë një shkëndije elektrike ndërsa mësohet se ka një të dëmtuar. Ndonëse zjarrfikësit janë angazhuar për të shuar flakët, ata e kanë patur të vështirë të pozicionojnë mjetet zjarrfikëse për shkak të rrugicave në lagje që janë tejet të ngushta.
Kjo ngjarje ndodh pak ditë pas zjarrit që ra në një pallat në Tiranë, i cili u shkrumbua gati i gjithi. Por fatmirësisht, nga zjarri nuk kishte asnjë të lënduar, edhe pse dëmet materiale ishin të shumta.