
Dy avionë të Forcave të Armatosura të Rumanisë mbërritën sot në Shqipëri duke iu bashkuar të forcave shqiptare për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në disa zona problematike të vendit. Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në fshatin Çërragë të Belshit, ku si pasojë janë djegur shkurre, por edhe rrënjë me ulli.
Flakët të favorizuara nga era rrezikojnë disa banesa. Po punohet për vënien në kontroll, ndërkohë që ka mbërritur dhe helikopteri për shuarjen nga lart.
Ndërkohë një vatër zjarri ka rënë sot edhe në fshatin Karbunarë të Lushnjës. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në dhjetra hektarë ullishte.

Në vendngjarje kanë shkuar dy zjarrfikëse dhe një helikopter të cilët kanë vendosur nën kontroll zjarrin. Nga informacionet paraprake zjarri ka ardhur nga kodra e bajameve mbi qytetin e Lushnjës. Ndërkohë sipas banorëve dyshohet se zjarri është vendosur qëllimisht./ZËRI