
VLORË- Një 36-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Vlorës. Arrestimi i tij ka ardhur pasi ai dyshohet se për shkak të një konflikti për motive të dobëta i ka djegur makinën një 34-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës në lagjen “28 nëntori”. Raportohet se 36-vjeçari me iniciale A.M i dogji makinën 34-vjeçarit me iniciale K.D. pas një konflikt të mëparshëm, për motive të dobëta.
Njoftimi i Policisë:
Për shkak të një konflikti për motive të dobëta, dogji në mesnatë, automjetin e një 34-vjeçari, arrestohet 36-vjeçari. Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 00:30, në lagjen “28 Nëntori”, ishte djegur automjeti tip “Volvo” në përdorim të shtetasit K. D., 34 vjeç, Komisariati i Policisë Vlorë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” e DVP Vlorë organizuan punën për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorin/ët dhe për të zbardhur rrethanat e rastit. Si rezultat, në kuadër të operacionit “Flames 4”, u identifikua dhe u vu në pranga, autori i dyshuar i rastit, shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në Vlorë, i cili nga hetimet dyshohet se e ka kryer këtë krim, për shkak të një konflikti të mëparshëm, për motive të dobëta, me shtetasin K. D. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI