
KOSOVË- Dalin detaje të reja në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt në Prishtinë, vrasje e urdhëruar nga bashkëshorti i saj Naim Murseli. Raportohet se zhdukja e një vajze në Suedi dhe humbja e 300 mijë eurove janë dy pistat e reja ku janë përqëndruar hetimet. Këtë detaj e ka bërë me dije eksperti i sigurisë Bedri Elezi i ftuar në emsionin ‘Jetë shqiptare”.
Sipas tij, ekzistojnë dyshime se Liridona ka pasur informacione në lidhje me zhdukjen e një vajzë në Suedi, informacion ky që mund të ketë çuar në vrasjen e saj. Ndër të tjera Elezi theksoi se një biznesmen shqiptar ka deklaruar se Naim Murseli ka humbur 300 mijë euro në skemat e mashtrimit.
“Ngjarje e rëndë dhe komplekse. Aktualisht kemi 4 të arrestuar, vrasësi, porositësi, një që ka mbështetur vrasësin dhe personi që siguroi armën. Motivet e ngjarjes kanë qenë disa, por me kohën disa prej tyre konsiderohen jo të mundshme, Ajo që ne kemi kuptuar motivet na çojnë drejt asaj se Liridona mund të kushte sekrete që mund të rrezikonin bashkëshortin e saj. Deklaratat e familjarëve dëshmojnë se marrëdhënie mes çiftit ishte e mirë, nuk kishte dyshime mbi përfshirjen e personave të tretë në aspektin gjinor. E vetmja gjë mbetet se dyshohet se një vajzë tjetër është zhdukur në Suedi. Së fundmi ishte një biznesmen shqiptar që jeton në Suedi që tha se me Naim Murseli kishte humbur 300 mijë euro në skemat e mashtrimit. Babai i të dyshuarit në deklaratën e parë pati thënë se eventualisht mund të ketë pasur ndonjë sekret që e ndjera e dinte. Pas vizitës së babai pati në burg, deklaroi se djali i tij ishte i pafajshëm duke sjellë dyshime se ai mund të jetë nën presion”, u shpreh Elezi.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI