Aktualitet

Zhduket i riu shqiptar në kufirin e Serbisë, të afërmit japin alarmin: Mos i ka ndodhur gjë!

Momenti i fundit kur 34-vjeçari nga Dibra ka folur me familjarët e tij ka qenë në kufirin serbo-kroat, në datën 21 maj në orën 02:30 të mëngjesi.

k.m.
Zhduket i riu shqiptar në kufirin e Serbisë, të afërmit
Leo Roçi

TIRANË- Leo Roçi ka humbur kontaktet me familjen prej 8 ditësh. 34-vjeçari, i sapoliruar nga burgu pasi përfitoi nga Amnistia Penale kishte vendosur që t'i kthehej jetës së tij të mëparshme. Ndaj kishte marrë rrugën për të shkuar në Britaninë e Madhe, ku i banojnë gruaja dhe fëmijët. 

Momenti i fundit kur 34-vjeçari nga Dibra ka folur me familjarët e tij ka qenë në kufirin serbo-kroat, në datën 21 maj në orën 02:30 të mëngjesi. Në këtë bisedë të fundit, ai u tregoi se ndodhej në doganë, në kufirin Serbi- Kroaci. Më pas, telefoni i tij ka qenë i hapur, por askush nuk përgjigjej. Në datën 27 maj, thirrjeve u është përgjigjur një grua që fliste serbisht, më pas telefonin e mori një burrë që tha gjithashtu në serbisht se punonte në doganë si agjent doganor. Ky i fundit u tha familjarëve se telefonin e kishte gjetur në rrugë.

Për shkak se kanë dyshime se diçka e keqe mund t'i ketë ndodhur, vëllai i Roçit, Bledari ka shkuar në Serbi edhe vetë për të bërë denoncimin në Polici.

I riu ishte ekstraduar nga Greqia në vitin 2019, pasi ishte dënuar me 7 vite burg për vjedhje me dhunë, e mosbindje ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

"Falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Athina, ekstradohet nga Greqia një shtetas i dënuar me 7 vjet burg. U krye ekstradimi nga Athina/Greqi drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar: Leo Roçi, 27 vjeç, banues në Peshkopi/Dibër. Shtetasi Leo Roçi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë me datë 06.12.2017 e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Në datë 11.01.2015, shtetasi Leo Roçi në bashkëpunim me shtetas të tjerë kanë tentuar të vjedhin me dhunë banesën e shtetasit A.V. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë,"-bënte me dije Policia. 

Nga vitit 2019, deri në 2024 ai vuajti dënimin në burg, por u lirua vetëm pak javë më parë, si përfitues i amnistisë penale./ZËRI

Poll

MOS HUMB