TIRANË- Zbardhet dinamika e aksidentit të rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Tiranë, ku humbi jetën një 7-vjeçar. Burime bëjnë me dije se i mituri kishte dalë në rrugë për të kërkuar lëmoshë, ndërsa përplasja fatale për të, ka ndodhur sapo është ndezur semafori jeshil për makinat.
Sipas burimeve, fillimisht 55-vjeçari Kostandin Shukulli i ka dhënë disa monedha 7-vjeçarit, të cilat i kanë rënë në tokë. Në këtë moment, i mituri ka dalë para makinës për t'i marrë, por menjëherë është hapur jeshilja dhe e ka përplasur makina. Por, goditjen fatale ia dhënë makina e dytë mbrapa, me drejtuese 42-vjeçarja Valentina Selman Koltraku. I mitur ka përfunduar poshtë gomave të makinës, ndërsa 42-vjeçarja ka vijuar rrugën dhe është larguar.
Më pas, 55-vjeçari ka ndaluar makinën menjëherë pasi ka dëgjuar njerëzit në rrugë duke bërtitur. Shukulli e ka dërguar fëmijën te Spitali i Traumës, ndërsa fillimisht ka deklaruar se nuk e kishte përplasur ai. Sipas tij, ka dëgjuar të bërtiturat e njerëzve dhe kur ka dalë ka parë fëmijën të aksidentuar, dhe e ka çuar në spital, por jo se ai ka qenë i pari që e ka përplasur.
Fillimisht aksidenti u raportua se një makinë kishte përplasur një të mitur. Më pas, zbardhja e ngjarjes është bërë nga kamerat në distancë dhe dëshmitë. Por, zbardhja e plotë është bërë pak më vonë, pasi është gjetur një kamer me pamje të qartë që tregon dinamikën e aksidentit.
Aksidenti i rëndë ndodhi paraditen e djeshme rreth orës 11:20 në rrugën “Kastriotët” në Tiranë. 7-vjeçari u përplas nga dy automjete njëri pas tjetrit, shoferët u larguan, por u identifikuan më pas dhe janë arrestuar ndërkohë që hetimet vazhdojnë për përcaktimin e saktë të përgjegjësive ligjore./ZËRI

