
TIRANË- Xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave të 21 janarit, Mark Nika, është shprehur se familjarët e tij kanë dorëzuar në SPAK një kasetë, që sipas tij, tregon të gjitha urdhërat e komandës së Gardës, për të hapur zjarr. Xhaxhai i ftuar në emisionin “Review” në Euronews tha se Ndrea Prendi pasi ka dalë nga Këshilli i Ministrave, ka dhënë urdhër të qëllohet drejt protestuesve. Gjithashtu ai kërkoi që çështja të hetohet nga SPAK, pasi sipas tij, është një çështje shumë sensitive.
“Ne si familjarë e kemi pritur prej kohësh këtë vendim. Gjykata e Strasburgut dha një vendim që i hap rrugë drejtësisë shqiptare që ta rihetojë edhe njëherë atë çështje. Për ne nuk është rihetuar plotësisht, pasi nuk ka pasur vullnet politik. Ky krim prej 13 vitesh ngeli i pandëshkuar, provat u prishën, nuk u kryen hetimet e plota dhe ngeli në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës. Ne kishim kërkuar në një kallëzim në SPAK që të fillohej një hetim penal për ish-kryeministrin dhe ministrin e Brenshëm të kohës. Berisha deklaroi atëherë se vrasjet u kryen për të mbrojtur pushtetin, pasi kishte një grusht shteti. Ministri i Brendshëm i kohës kishte pranuar se vrasjet janë brenda kornizës ligjore. Ne kërkuam nga Prokuroria e Tiranës që të thirren dhe të japin shpjegime mbi këto deklarata publike. Ne kemi një kasetë regjistrim, ku janë përshkruar të gjithë urdhërat e komandës, grupit të zjarrit dhe është urdhëruar hapja e zjarrit pasi Ndrea Prendi ka dalë nga aparati i Këshillit të Ministrave, ka thënë të qëllohet në mish. Ky fakt na çoi ne të bëjmë një padi në SPAK që kjo çështje të hetohet nga ata. Është një çështje shumë sensitive”, u shpreh Mark Nika.
Gjykata e Stasburgut doli me një vendim lidhur me vrasjen e Aleks Nikës më 21 janar 2011. Trupa gjykuese ka dalë në përfundimin se ka 2 shkelje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes, duke bërë përgjegjës shtetin shqiptar. Në vendim thuhet se shteti dështoi të kontrollojë protestën e 21 Janarit dhe përdori forcën vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që rezultoi në vdekjen e Nikës.
Çfarë ndodhi në 21 Janar, në protestën e thirrur nga socialistët
Në 21 janar 2011, opozita socialiste që drejtohej nga Edi Rama thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, ku flitej për aferë korruptive. Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Por, kur turma tentoi të hynte në oborrin e Kryeministrisë, situata u tensionua dhe shumë shpejt nisën të shtënat me armë nga ambienti i brendshëm. Plumbat lanë pas katër viktima: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste se donte t’i bënte puç, e fillimisht tha se vrasjet ishin kryer nga brenda turmës së protestuesve. Ndërsa opozita akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm e atëhershëm, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. /Zëri.ai/