
SERBI- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka lajmëruar se më datë 21 tetor do të fluturojë në New York, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vuçiç tha se do të jetë në New York, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, që pritet të mbahet më datë 23 tetor.
“Më 21 tetor unë nisem drejt Shteteve të Bashkuara, pasi në New York, më 23 tetor, do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë”, u tha Vuçiç gazetarëve, në konferencën për shtyp.
Aleksandër Vuçiç, në këtë dalje publike tha se gjithmonë ka njerëz që duan më të keqen për Serbinë, por, sipas tij, ziliqarët janë gjithmonë të humbur.
Kur u pyet në lidhje me Radoiçiç, Vuçiç tha se autoritetet shtetërore të pavarura zhvillojnë hetime ndaj tij dhe se ai nuk merret me këtë çështje. "Prokuroria ka ngritur disa akuza ndaj Radoiçiç dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ai ka dhënë dorëheqje si politikan. Tashmë Radoiçiç do përballet në gjykatë. Nuk më mbetet mua të komentoj çështjet e drejtësisë", tha presidenti serb.
Një nga çështjet me të cilat Vuçiç mund të përballet në SHBA, pritet të jetë ajo e Kosovës, veçanërisht për sulmin e armatosur në Banjskë./Zëri.ai/