
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në azilin privat të të moshuarve “Ruaje Moshën” në Tiranë, ku Zyhdi Shehi goditit për vdekje me bastun shokun e dhomës, Virxhil Vesho. Sipas hetimeve të Policisë dhe Prokurorisë, tregojnë se 78-vjeçari i shpallur “Qytetar nderi” i Kavajës dhe me medaljen e punës “Naim Frashëri”, nuk ka qenë në gjendje të mirë psikologjike dhe shëndetësore në momentin e ngjarjes.
Në dëshminë e dhënë për hetuesit, Shehi rrëfen se nuk ka qenë krevati shkaku i ngjarjes. Ai tregon se ka menduar se në dhomë i kishte hyrë dikush tjetër që nuk i përgjigjej dhe ky moment ka pasuar goditjet. Rrëfimi i tij u bë në praninë edhe të një psikologu, për shkak të problemeve shëndetësore dhe moshës, raporton “TV Klan”.
“Virxhili nuk po më përgjigjej nëse kishte njerëz të tjerë në dhomë. E pyeta disa herë dhe më pas qëllova disa herë në kokë dhe trup, duke menduar se ishte dikush tjetër. Pasi pimë ilaçet u shtrimë për të fjetur gjumë dhe në mesnatë u ngrita për të shkuar në banjo. Pasi u futa në dhomë, dëgjova zëra dhe të bërtitura dhe pashë se Virxhili ishte shtrirë. E pyeta kush po bërtet dhe i kërkova të fliste nëse kishte njeri në dhomë, por ai nuk m’u përgjigj. Në atë moment kam filluar ta godas në kokë dhe trup disa herë. Më pas i fola sërish duke i thënë nëse do flasë apo jo, aty mu përgjigj me dy-tre fjalë dhe e godita sërish me karrigen që gjendej aty. Nga ai moment nuk mbaj mend çfarë ndodhi”- u shpreh Shehi.
Për këtë ngjarje në pranga kanë përfunduar dhe dy infermieret e azilit, Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, 31 dhe 26 vjeçe, të cilat akuzohen se kanë kryer veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës./ZËRI