
MILANO - Nuk ka burgim të përjetshëm për Rigels Gjinajn, shqiptarin e akuzuar për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Emanuel Rroku. 34-vjeçari u dënua sot në shkallën e parë me 17 vite e 4 muaj. Gjykata, e kryesuar nga gjyqtarja Rossella Ferrrazzi përjashtoi rrethanat rënduese, duke e ulur dënimin me një të tretën.
Mbrëmjen e 16 shtatorit 2022, Rroku ishte ulur në tavolinat e jashtme të një lokali përgjatë Via Allea Comunale në Turbigo. Aty lindi një debat, duke kulmuar me faktin se 34-vjeçari shqiptar nxorri pistoletën gjysmë automatike dhe qëlloi disa herë. Njëri plumb kishte goditur bashkatdhetarin e tij 23-vjeçar dhe tjetri kishte plagosur një djalë 20-vjeçar.
Brenda lokalit, një burrë kishte goditur një grua dhe disa nga të pranishmit ndërhynë për ta ndaluar, ndërsa Rigelsi filloi ‘luftën’ për të mbrojtur shokun e tij nga turma e zemëruar. Pikërisht gjatë përleshjes, arma e 34-vjeçarit ka qëlluar një breshëri plumbash. Një nga plumbat ka goditur Rrokun në arterien karotide.
23-vjeçari ka ndërruar jetë pak pasi ka mbërritur në spitalin e Legnano-s, ndërsa 34-vjeçari është shtruar për disa kohë në Gallarate, për shkak të rrahjeve që ka pësuar atë mbrëmje. Nga ekzaminimi u konstatua se gjuajtja vdekjeprurëse u qëllua nga një distancë prej 25 deri në 45 centimetra. Avokati i Gjinaj kërkoi drejtësi për rastin. Ciro Caramore më parë kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për Gjinajn./Zëri.ai/