
PEQIN- Sokol Mjacaj, që vrau të dënuarin Arben Lleshi dhe dyshohet se ka plagosur të dënuarin tjetër Indrit Shaqja, mësohet se është vetëdorëzuar. Mjacaj ka dorëzuar armën e krimit dhe ka pranuar të flasë me hetuesit.
Lleshi nuk ka mundur t’ju mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë në spital. Ndërsa, Shaqja është jashtë rrezikut për jetën. Përpos konfliktit me armë me 2 të dënuarit, raportohet se Mjacaj ka marrë peng edhe punonjësit e kuzhinës të institucionit të vuajtjes së dënimit në Peqin.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka informuar më herët se nga ngjarja, nuk ka polic apo civil të plagosur. “Për shkak të një konflikti mes tre të dënuarve me burgim të përjetshëm kanë mbetur të plagosur dy prej dhe ndërkohë situata po menaxhohet! Ju sqarojmë që s’ka asnjë gardian, staf policor dhe civil të lënduar“, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.
Ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë kishte urdhëruar vendosjen e Macjes në regjimin ’41-biss’. Sokol Mjacaj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e turistëve çekë Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015. Ngjarja ndodhi në fshatin Prekal të Dukagjinit.
Viktima e ngjarjes së sotme, Arben Lleshi gjithashtu ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ai ishte dënuar për vrasjen e një bashkëatdhetari në Britaninë e Madhe. Lleshi me origjinë nga Burreli akuzohet se ka vrarë Agim Hoxhën më 10 prill 2012. Vrasja ndodhi në një apartament në qytetin e Southempton në Angli, ndërsa trupi i pajetë i Hoxhës u gjet në një makinë tip Mercedez Benz./ZËRI/