
TIRANË- Ilir Selmani, i dënuar më 28 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ka dalë sot para trupës gjykuese. I marrë në pyetje nga prokurori i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Behar Dibra, Selmani ngul këmbë se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë gisht në vrasjen. Teksa tregon se ngjarjen e kishte marrë vesh nga mediat, hedh akuza mbi oficerët e Policisë së Shtetit, për të cilët pretendon se janë paguar para, rreth 500 mijë euro për të penguar hetimin dhe për të manipuluar provat. Sipas tij, nuk ka asnjë provë që e implikon atë në vrasje. Ndër të tjera sqaroi edhe përse ka ndodhur përplasja mes vëllezërve Duka dhe tashmë të zhdukurit Ervis Martinajt, që sipas tij nisi gjithçka nga lojrat e fatit.
DËSHMIA NË GJYQ:
Ilir Selmani: Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qera. Dreka ishte rastësore për rreth 2 orë e 30 minuta. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Bledin dhe iku. Më kërkoi Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri tek spitalet. Dëgjova diçka por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo. Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes pashë që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos.
*i drejtohet prokurorit
Çdo provë është e manipuluar nga dy oficer policie. Ju prokuror keni thënë nga deklarimet e Blendi Tetës se jam i përfshirë, por nuk keni asnjë provë. Nuk keni bërë asnjë hetim, keni marrë prova të manipuluara nga oficerët e policisë. Janë paguar para për të penguar hetimin. Janë përgjuar përgjime nga oficerët se kanë manipuluar provat. Kam material dhe pres provat, informacionin shkresor dhe tabulatet telefonike që provojnë se janë manipuluar hetimet.
Prokurori Behar Dibra: Shumë mirë, të inkurajojmë ta denoncosh rastin!
Ilir Selmani: Blendi Tetën e kanë marrë peng dhe e kanë dhunuar. Më keni dënuar me deklarimet e tij. E kam takuar në burgun “313” kur ishte tranzit. Më tha që e ka marrë peng Ervis Martinaj. I kanë thënë se do të të murosim. Ervis Martinaj e njoh se ka patur kompani të përbashkët llotosh me vëllezërit Duka. Arsyeja e përplasjes mes Dukajve e Martinajt ishte se ky i fundit donte t’i merrte biznesin. Po bëj burg kot, jemi të pafajshme unë dhe shokët e mi. Prokurori ka bërë hetime të arnuara.
Ilir Selmani u arrestua nga Policia më 16 prill 2020 në zonën e Xhamllikut, pas 8 muajsh që ishte shpallur në kërkim. I njohur si "boksieri", Selmani është pjesë e klanit Duka, dhe akuzohet se është një nga personat kyç, që mund të zbardhë ekzekutimin e Santiago Malkos, i cili u vra mbrëmjen e 27 gushtit ish-policin Santiago Malko. Pas arrestimit, ai deklaronte në Polici se kishte vetëm lidhje miqësie me Leonard Dukën, që njihet edhe si ‘kapoja’ i klanit Duka. Ai u shpreh se nuk ishte dorëzuar në polici, por kishte qëndruar i fshehur, pasi i rrezikohet jeta nga kundërshtarët e tij dhe të Leonard Dukës. Sa i përket ekzekutimit të Santiago Malkos, dëshmia e Selmanit është e njëjtë, pasi edhe asokohe shprehej se vrasjen e kishte marrë vesh nga mediat. Aktualisht, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me 25 vite burg Bledi Tetën për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019./ZËRI