
DURRËS- Riza Qatja, i cili kishte shfaqur interes për të lidhur krushqi me Pëllumb Metën, i cili u vra më 10 shkurt nga fëmijët dhe më pas u gropos nga po ata në kasollën e bagëtive, ka ‘’thyer’’ heshtjen këtë të hënë dhe ka dhënë versionin e tij në lidhje me krushqinë e parealizuar me Metën. Ai ka deklaruar se çështja e fejesës ishte mbyllur që para 5 muajsh. Ashtu si shkuesja, dhe Qatja ka thënë se Meta e kishte refuzuar fejesën me pretendimin se vajza do të ndiqte shkollën. Ndërsa shton se Pëllumb Meta do i blinte një makinë vajzës që ta përdorte për të shkuar në universitet.
Riza Qatja: Historia e fejesës me shkuesi me vajzën e Pëllumb Metës, Hygertën, është mbyllur që para 5 muajve. Thjesht ka qenë një mendim historia e fejesës, por babai i Hygertës ka thënë se vajza do të vazhdojë shkollën. Vajza ishte në shkollë, i ati e çonte dhe e merrte përditë nga shkolla. Edhe ditën që është vrarë Pëllumbi ka qenë këtu, (në lokal) ka dalë në orën 12:55. Po të ishte që do kishim probleme për fejesën, nuk vinte këtu të pinte kafe përditë. Fejesa është kot, nuk ka lidhje fare. Po të donte ta fejonte, do e bënte, do e kishte hequr nga shkolla. Por babai kishte ndërmend t’i blinte edhe makinë. Këtë ma kanë treguar shokët e Pëllumb Metës që punojnë tek tregu i makinave.
Pëllumb Meta u vra nga vajza e tij, Hygerta me armë zjarri (Referuar dëshmisë së dhënë në Gjykatë). Ngjarja e rëndë u zbardh vetëm dy ditë më parë, pas hetimeve 10 ditore nga Policia e Durrësit, për shkak se 50-vjeçari ishte deklaruar i zhdukur. Por vrasja e tij mbetet ende e pazbardhur plotësisht pasi fëmijët kanë dhënë deklarata kontradiktore në lidhje me krimin e rëndë./ZËRI