
TIRANË- Në Gjykatën e Tiranës, ka nisur procesi në mungesë ndaj Bledar Jambellit, i cili akuzohet si porositësi i vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Gjatë seancës së sotme, Prokuroria paraqiti konkluzionet e saj mbi akuzat ndaj Jambellit. Po sot, u vendos që më datë 3 qershor, në orën 13:30, të zhvillohet seanca për paraqitjen e pretencës. Pasi Prokuroria e Tiranës të ketë dhënë pretencës, avokatët e Jambellit do të bëjnë mbrojtjen e klientit të tyre. Kështu, pasi të dyja palët të kenë bërë pretendimet e tyre, Gjykata do të shpallë vendimin.
Si ndodhi vrasja e kryekomisarit Artan Cuku?
Atentati ndaj Artan Cukut u krye në datën 7 prill të vitit 2017 në hyrjen e pallatit ku banonte viktima, tek rruga e ‘Kosovarëve’ tek Liqeni Artificila në Tiranë. Për vrasjen e kryekomisarit ra në pranga Mikel Shallari, i cili rrëfeu të plotë të gjithë organizimin e vrasjes dhe se porositësi ishte Bledar Jambelli.
Jambelli vëzhgonte gjithçka në terren dhe se me Shallarin komunikonte vetë nëpërmjet Kristaq Lecit (që u arrestua sot në Greqi), kushëriri i Mikel Shallarit. Mësohet se është pikërisht Leci ai që i ka dhënë pagesën prej 20 mijë eurosh Mikel Shallarit, i cili mori përsipër të kryente ekzekutimin.
Kristaq Leci dhe Bledar Jambelli 48 orë pas ngjarjes u larguan në Greqi pa kaluar nëpërmjet sistemit TIMS. Motivi që mendohet të kenë shtyrë Jambellin të urdhëronte vrasjen e Cukut është rihapja e një dosjeje në vitin 2012, kohë kur kryekomisari ishte Drejtor i Policisë Vlorë. Kryekomisari e rihapi këtë dosje të mbyllur nga prokuroria dhe gjeti prova të reja për vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Ervis Shehut në vitin 1997, e njohur si masakra e “Pusit të Mezinit”.
Provat e reja sollën edhe arrestimin e Bledar Jambellit. Gjithsesi 38-vjeçari u la i lirë nga gjykatat shqiptare për mungesë provash në vitin 2013 madje mori edhe mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim nga shtetit për ditët e burgut.
Por 4 vite më vonë Jambelli nuk harroi të hakmerrej./ZËRI