
DURRËS- Policia e Shtetit ka gjetur mjetin e përdorur nga autorët e vrasjes së Ermir Dedjas në Durrës. Mjeti tip "Seat" me targa të vjedhura u gjet i shkrumbuar totalisht në fshatin Gërdec. Gjatë kontrollit në mjet, efektivët e Policisë kanë gjetur në sendiljen e pasme edhe një kallashnikov, arma e cila dyshohet se është përdorur për vrasjen. Aktualisht, makina është marrë nga policia e Durrësit ku po verifikohet numri i shasisë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Informacion shtesë
Në vijim të kontrolleve dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 20.05.2025, rreth orës 00:50, në lagjen nr. 18, ku dyshohet se u vra me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, shërbimet e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë gjetur në fshatin Gërdec, një automjet të djegur dhe brenda tij një armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve./ZËRI